Yusuf Özcan
19 Shkurt 2021•Përditësim: 19 Shkurt 2021
Ministrat e Jashtëm të Francës, Britanisë, Gjermanisë dhe SHBA-së kërkuan që Irani të përmbushë plotësisht zotimet sipas Planit të Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit (JCPOA), e njohur si marrëveshja bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, zhvilloi një takim me sekretarin e Jashtëm të Britanisë, Dominic Raab dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, në kryeqytetin e Francës, Paris. Gjithashtu kryediplomati amerikan, Antony Blinken, mori pjesë në takim përmes video-konferencës.
Në deklaratën e përbashkët nga ministrat, thuhet se partneriteti transatlantik është i nevojshëm për të kapërcyer sfidat me të cilat përballet bota, veçanërisht në fushën e sigurisë, klimës, ekonomisë dhe shëndetësisë.
Gjithashtu u theksua se Franca, Gjermania dhe Britania ishin të kënaqur me qëllimin e SHBA-së për t'u kthyer në diplomaci me Iranin dhe se Iranit i kërkohet të përmbushë plotësisht zotimet e tij nën JCPOA.
Po ashtu Iranit i bëhet thirrje të mos marrë masa shtesë në lidhje me inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), veçanërisht të zbatuara në bazë të Marrëveshjes së Mos-Përhapjes Bërthamore (NPT).
Më tej theksohet se ekziston shqetësim i thellë në lidhje me aktivitetin e pasurimit të uraniumit me pastërti 20 për qind të Iranit dhe fillimin e punës për prodhimin e uraniumit metalik.
Në deklaratën në të cilën theksohet shqetësim i thellë në lidhje me shkeljen serioze dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Iran, ministrat shprehën vendosmërinë e tyre të përbashkët për të ulur tensionin në rajonin e Gjirit.
"Lufta në Jemen duhet të përfundojë menjëherë"
Gjithashtu në deklaratë theksohet se lufta në Jemen duhet të përfundojë menjëherë.
Më tej thuhet se janë të vendosur të vazhdojnë përpjekjet themelore për të luftuar kërcënimin e paraqitur nga organizata terroriste DAESH në Irak dhe në Siri.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se "vështirësitë globale të shkaktuara nga Kina" do të merren parasysh dhe gjithashtu u dënua marrja e pushtetit nga ushtria në Mianmar dhe arrestimi i zyrtarëve të qeverisë civile.
Duke përmendur se ishte rënë dakord që NATO duhet të forcohet, më tej u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).