Şenhan Bolelli
10 Nëntor 2017•Përditësim: 11 Nëntor 2017
MADRID (AA) - Ish-kryetarja e Parlamentit të Katalonjës, Carme Forcadell, është liruar nga burgu Alcala Meno në Madrid pasi Asambleja Nacionale e Katalonjës (ANC), organizatë civile pro pavarësisë, ka paguar kaucion në vlerë prej 150 mijë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet spanjolle i kanë konfiskuar pasaportën Forcadellit për të parandaluar arratisjen e saj të mundshme jashtë vendit, ndërsa ajo do të jetë e detyruar që një herë në 15 ditë të paraqitet në një gjykatë në Barcelonë dhe të nënshkruajë.
Forcadell akuzohet për "rebelim kundër shtetit, kryengritje dhe shpërdorim të fondeve publike", nga ana e Kryeprokurorisë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë më 27 tetor në Parlamentin e Katalonjës.
Ditën e djeshme ajo u burgos pas dhënies së deklaratës në Gjykatën Supreme, ndërsa u caktua kaucion prej 150 mijë euro për lirimin e saj me kusht.
ANC njoftoi se ka paguar kaucionin me para të tubuara nga katalonjasit, përmes një fushate të inicuar me emrin "arka e solidaritetit".
ANC po ashtu ka njoftuar se do të paguajë edhe kaucionin për katër ish-anëtarët e Këshillit Ekzekutiv, të cilët janë liruar nga Gjykata Supreme me kusht që brenda shtatë ditëve të paguajnë nga 25 mijë euro.
Në ndërkohë, nesër në Barcelonë dhe qytetet e tjera të Katalonjës do të organizohen protesta për lirimin edhe të tetë anëtarëve të tjerë të qeverisë lokale të Katalonjës dhe dy kryetarëve të organizatave joqeveritare pro-pavarësisë, të cilët ende gjenden në arrest.