Italia dërgon grupin e dytë të emigrantëve në Shqipëri
Anija pritet që nesër në mëngjes të mbërrijë në qendrën e pritjes në Shëngjin në veri të Shqipërisë
Romë
Anija patrulluese "Libra" e marinës italiane, është nisur me grupin e dytë të emigrantëve të parregullt në qendrat e emigrantëve në Shqipëri të ndërtuara nga Italia, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, anija "Libra" ka nisur drejt Shqipërisë 8 emigrantë të parregullt të cilët para dy ditësh u shpëtuan në jug të ishullit Lampedusa, toka më e afërt e Italisë me kontinentin afrikan.
Anija pritet që nesër në mëngjes të mbërrijë në qendrën e pritjes në Shëngjin në veri të Shqipërisë.
Kontrollet e para të emigrantëve do të bëhen këtu, ndërsa derisa do të vazhdojnë të qëndrojnë gjatë periudhës kur do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil, pritet të dërgohen në një qendër tjetër me kapacitet prej rreth 1.000 personash i ngritur në Gjadër, në një ish-qendër kampi ushtarak të Forcave Ajrore të Shqipërisë.
- Grupi i parë i emigrantëve u rikthye në Itali me vendim të gjykatës
Grupi i parë prej 16 emigrantësh të paligjshëm në kuadër të marrëveshjes midis Romës dhe Tiranës mbërritën më 16 tetor në Shqipëri. Prej tyre 2 ishin rikthyer në Itali për shkak se ishin të mitur ndërkaq 2 për shkak të problemeve shëndetësore.
Për 12 të tjerë të përbërë nga emigrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Bangladeshi, më 18 tetor ishte vendosur që të mos mbahen në qendrat në Shqipëri, me vendim të Gjykatës në Romë për arsye se vendet ku do të kthehen emigrantët në fjalë nuk janë në statusin e "vendeve të sigurta". Pas kësaj, emigrantët e paligjshëm më 19 tetor me anë të varkës italiane të Rojës bregdetare u rikthyen në Itali.
Pas këtij vendimi të Gjykatës së Romës, qeveria e koalicionit të djathtë e udhëhequr nga Giorgia Meloni miratoi një dekret të ri më 21 tetor, duke u dhënë 19 vendeve, përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin, statusin e "vendit të sigurt" për të mbrojtur funksionimin e qendrave të emigrantëve në Shqipëri.
Gjykata e Bolonjës, e cila po trajtonte një çështje tjetër për këtë temë, i referoi më 29 tetor Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dekretin e ri të qeverisë për përcaktimin e listës së vendeve të sigurta për riatdhesim. Gjykata e Bolonjës pyeti se cilat kritere duhet të përdoren për të përcaktuar sigurinë dhe nëse parimi i përparësisë së ligjit të BE-së zbatohet nëse lind një konflikt me legjislacionin italian.
Vendimet e marra për çështje të ndryshme në gjykata të ndryshme të vendit çuan në polemika mes politikanëve dhe anëtarëve të gjyqësorit.
- Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.