Giada Zampano
01 maj 2023•Përditësim: 01 maj 2023
Qeveria e krahut të djathtë e Italisë ka miratuar masa të reja që synojnë të ndihmojnë punëtorët me të ardhura të ulëta dhe të zhvillojnë tregun e punës në vështirësi në vend mes kritikave nga sindikatat kryesore kombëtare, transmeton Anadolu.
Paketa, e diskutuar në Ditën e Punës nga një mbledhje e jashtëzakonshme e kabinetit, bashkon shkurtimet e kostos së punës me rregulla më të lira për kontratat afatshkurtra dhe pakëson një skemë të mëparshme të përfitimit të papunësisë.
Rregullat e reja e bëjnë më të lehtë për kompanitë që të ofrojnë kontrata të përkohshme pune, duke ulur koston e punësimit. Ata gjithashtu prezantojnë përfitime të reja shtesë për punëtorët me fëmijë, deri në një maksimum prej 3 mijë eurosh për punonjës.
Ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, tha se po investojnë te punëtorët dhe familjet, duke ulur taksat deri në shtatë pikë përqindjeje për të ardhurat më të ulëta.
“Kjo është një ndihmë e vërtetë kundër kostos më të lartë të jetesës dhe një përgjigje konkrete ndaj kritikëve”, tha Giorgetti.
Sindikatat e Italisë dhe opozita e qendrës së majtë janë ankuar prej kohësh se pakësimi i ndihmës për të papunët do të godasë pjesën më të varfër të popullsisë që lufton për të gjetur një punë të denjë.
Kreu i sindikatës kryesore CGIL, Maurizio Landini, kritikoi paketën, duke theksuar se ajo nuk adreson “nivelin e paprecedentë të pasigurisë së punës të Italisë”.
Landini gjithashtu u ankua për vendimin e kryeministres Giorgia Meloni për miratimin e masave të reja më 1 maj, në Ditën e Punës, duke e quajtur këtë veprim një “akt arrogance”.