Bota

Izrael, mbahen protesta masive kundër qeverisë së Netanyahut

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë së Netanyahut dhe zgjedhje të parakohshme

Enes Canlı  | 19.03.2025 - Përdıtësım : 20.03.2025
Izrael, mbahen protesta masive kundër qeverisë së Netanyahut

Kuds

Dhjetëra mijëra qytetarë në Izrael protestuan kundër përpjekjes së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe qeverisë së tij për të shkarkuar Ronen Bar, drejtorin e agjencisë vendase të inteligjencës izraelite Shin-Bet (Shabak) dhe kundër vendimit për rifillimin e sulmeve në Gaza, raporton Anadolu.

Pika qendrore e protestave është Kudsi Perëndimor, në të cilin ndodhen Parlamenti izraelit, Kryeministria dhe ndërtesat e tjera qeveritare. Në orët e mëngjesit protestuesit mbyllën autostradën 1 një prej arterieve kryesore të vendit midis Tel Avivit dhe Kudsit. Në rrugë u krijuan radhë të gjata.

Pasi u mblodhën në sheshin në Kudsin Perëndimor, ku ndodhen ministritë dhe ndërtesat qeveritare përreth Parlamentit izraelit, dhjetëra mijëra njerëz protestuan duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë së Netanyahut dhe zgjedhje të parakohshme.

Ish-politikanë të rangut të lartë si ish-kryeministri Ehud Barak dhe ish-ministri i Mbrojtjes Moshe Yaalon iu bashkuan protestuesve, të cilët mbanin flamuj izraelitë dhe shirita të verdhë që përfaqësonin pengjet izraelite në Rripin e Gazës.

Duke protestuar kundër rifillimit të sulmeve nga qeveria në Rripin e Gazës, demonstruesit brohoritën parulla dhe mbajtën postera dhe pankarta që akuzonin Netanyahun se "ka nisur një sulm ndaj Gazës për arsye politike dhe se ka vënë në rrezik jetën e pengjeve izraelite".

Disa qytetarë të cilët me automjetet e tyre kanë marrë pjesë në protestat në Kudsin Perëndimor kanë kryer veprime të mosbindjes civile duke i ndaluar automjetet e tyre në qarkullim. Në shumë pika të Kudsit Perëndimor pati trafik intensiv.


- "Qeveria Netanyahu ka humbur legjitimitetin e saj"

Yair Lapid, lideri i partisë kryesore opozitare në Izrael, Yesh Atid (Ka një të ardhme), në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale u bëri thirrje izraelitëve që t'u bashkohen protestave.

"Ne vendosëm të dalim në rrugë sepse qeveria e Netanyahut ka humbur legjitimitetin e saj", tha Lapid, duke shtuar se "heshtja përballë shkatërrimit të shkaktuar nga qeveria i jep qeverisë më shumë kohë për të copëtuar vendin".

Sipas "The Times of Israel", gjenerali në pension i Forcave Ajrore izraelite, Amir Haskel u arrestua nga policia izraelite duke përdorur forcën ndërsa ai brohoriste me një megafon pranë shtëpisë së Netanyahut në Kudsin Perëndimor.

Njoftimi i Netanyahut më 16 mars se ai do të shkarkonte drejtorin e Shin-Bet, Ronen Bar në Izrael u prit me reagime të shumta nga opozita dhe ata që e kundërshtojnë Netanyahun.

Prokuroria e Përgjithshme izraelite kishte paralajmëruar se hapi në fjalë mund të ishte i paligjshëm për shkak se Shin Bet po trajtonte dy dosje në të cilët hetoheshin këshilltarët e ngushtë të Netanyahut.

Kryeministria izraelite vlerëson se prokurorja e përgjithshme, Gali Baharav-Miara ka "tejkaluar në mënyrë perverse autoritetin e saj".


- Ushtria izraelite prishi armëpushimin dhe rifilloi sulmet në Gaza

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme dje në mëngjes pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar. Në sulmet ajrore që ushtria izraelite kreu në Rripin e Gazës mëngjesin e 18 marsit, humbën jetën të paktën 400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën mbi 500 të tjerë.

Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet kanë filluar me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz. Izraeli i cili shkeli armëpushimin tha se do të vepronte kundër Hamasit me "forcë ushtarake në rritje".

Hamasi tha se "Izraeli nuk i mbajti premtimet dhe rifilloi gjenocidin ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij përpara syve të vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin".

Familjet e të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës akuzuan qeverinë e Netanyahut se "ka hequr dorë nga pengjet" dhe kanë theksuar se paraqitja e rikthimit të pengjeve nga qeveria si justifikim për rifillimin e luftës është "mashtrim i plotë".

Partitë opozitare në Izrael theksuan se sulmet rifilluan nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të kryeministrit Netanyahu, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.