Bota

Izrael, përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë para rezidencës së Netanyahu-t

Protestuesit mbanin gjashtë arkivole bosh për të përkujtuar gjashtë robërit e shpallur të vdekur në Gaza të dielën, ndërsa të paktën 10 izraelitë u arrestuan para rezidencës së kryeministrit Netanyahu në Kudsin Perëndimor

Ahmed Asmar  | 03.09.2024 - Përdıtësım : 03.09.2024
Izrael, përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë para rezidencës së Netanyahu-t

Kuds

Qindra protestues izraelitë mbrëmë vazhduan protestat kundër Benjamin Netanyahu-t, madje duke depërtuar një pengesë policore pranë rezidencës së kryeministrit dhe duke shkaktuar përleshje të dhunshme me policinë, transmeton Anadolu.

Mbrëmë u zhvilluan disa protesta në të gjithë Izraelin, duke kërkuar armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve në Gaza, si dhe për të protestuar ndaj këmbënguljes së kryeministrit izraelit Netanyahu për të qëndruar në zonën kufitare Gaza-Egjipt, të njohur si Korridori i Filadelfit.

Netanyahu riafirmoi synimin e tij për të qëndruar në Korridorin e Filadelfit më herët gjatë ditës.

"Nëse tërhiqemi, nuk do të mund të kthehemi atje, as për 42 ditë dhe as për 42 vjet", mediat izraelite cituan të ketë thënë Netanyahu në një takim të kabinetit.

Izraeli ka vrarë më shumë se 40.700 palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe rreth 250 u morën peng.

Sipas gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, protestuesit mbanin gjashtë arkivole bosh për të përkujtuar gjashtë robërit e shpallur të vdekur në Gaza të dielën.

Faqja e lajmeve Times of Israel tha se të paktën 10 izraelitë u arrestuan para rezidencës së kryeministrit Netanyahu në Kudsin Perëndimor.

Të dielën, ushtria izraelite raportoi se kishte gjetur trupat e gjashtë pengjeve, duke rritur tensionin e vazhdueshëm në opinionin izraelit teksa lufta hyn në muajin e saj të njëmbëdhjetë.

Para kësaj, Izraeli tha se 107 pengje mbetën në Gaza, disa prej të cilëve besohej se tashmë kishin vdekur.

Për muaj të tërë, SHBA, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit, por pa rezultat.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.