Bota

Izrael, vazhdojnë demonstratat për "marrëveshje armëpushimi në Gaza"

Mijëra njerëz dolën në rrugë në shumë pjesë të vendit, veçanërisht në Tel Aviv dhe Kudsin Perëndimor, dhe akuzuan Netanyahun dhe qeverinë e tij për vdekjen e të burgosurve izraelitë në Gaza

Enes Canlı  | 03.09.2024 - Përdıtësım : 04.09.2024
Izrael, vazhdojnë demonstratat për "marrëveshje armëpushimi në Gaza"

Kuds

Protestat e zhvilluara në Izrael si reagim ndaj hezitimit të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për të rënë dakord për një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve në Gaza vazhduan për të tretën ditë me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, raporton Anadolu.

Mijëra njerëz dolën në rrugë në shumë pjesë të vendit, veçanërisht në Tel Aviv dhe Kudsin Perëndimor, dhe akuzuan Netanyahun dhe qeverinë e tij për vdekjen e të burgosurve izraelitë në Gaza.

Demonstruesit që ndezën zjarr në disa pika u ndeshën me ndërhyrjen e policisë. Protestuesit, që mbanin flamuj izraelitë, shpalosën pankarta dhe afishe dhe thirrën parulla kundër kryeministrit Netanyahu dhe politikanëve në qeverinë e tij.

Ata bënë thirrje që të burgosurit izraelitë të kthehen në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa mbanin tabela me mbishkrime si: “Të gjithë në shtëpi tani” dhe “Ndihmë”. Demonstruesit brohoritën me thirrje si: “(Netanyahu) Bibi, liro të burgosurit” dhe “Ti je në krye, ti je fajtor”.

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugën Begin përpara kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes në mbrëmje në Tel Aviv, si çdo javë, dhe kritikuan Netanyahun dhe qeverinë e tij për pengimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Gaza.

Të afërmit e të burgosurve, të cilët ndezën zjarr dhe mbajtën fjalime aty, akuzuan Netanyahun se i ka lënë të burgosurit të vdesin “nën rrënojat politike”.

Gjatë protestës, herë pas here pati përleshje mes policisë izraelite dhe demonstruesve. Policia arrestoi të paktën dy persona.


- Aktivistët u mblodhën rreth rezidencës së Netanyahut në Kudsin Perëndimor

Qendra e demonstratave në Kudsin Perëndimor ishte zona rreth rezidencës së Netanyahut.

Grupi, i cili filloi të marshonte në mbrëmje, hasi në pengesa të policisë kur donin të lëviznin drejt rezidencës së Netanyahut.

Policia, e cila ishte vendosur pas barrierave të hekurta me një numër të madh trupash, përdori forcën për të shpërndarë demonstruesit që donin të avanconin drejt rezidencës së Netanyahut.

Ndryshe, protestat u përshkallëzuan pas njoftimit të ushtrisë izraelite për kthimin e gjashtë pengjeve të vdekur nga Gaza. Izraeli është përballur protesta masive, ku është fajësuar qeveria se nuk i ka sjellë ata të gjallë në shtëpi përmes një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve me fraksionet palestineze.

Izraeli vlerëson se më shumë se 100 pengje mbahen nga Hamasi në Gaza, disa prej të cilëve besohet se janë vrarë tashmë.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti janë përpjekur prej muajsh të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe një marrëveshje armëpushimi dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın