Izraeli bllokon hyrjen e delegacionit francez në vend
Sipas raporteve në mediat kombëtare, 17 nga 27 anëtarët e delegacionit francez planifikonin të vizitonin territoret palestineze dhe Izraelin më 20-24 prill

Ankara
Një delegacion i parlamentarëve të majtë francezë dhe zyrtarëve të zgjedhur njoftuan se qeveria izraelite ua kishte anuluar vizat dhe i kishte penguar ata të hynin në vend, pak para se të vizitonin Izraelin, transmeton Anadolu.
Sipas raporteve në mediat kombëtare, 17 nga 27 anëtarët e delegacionit francez që planifikonin të vizitonin territoret palestineze dhe Izraelin më 20-24 prill njoftuan në një deklaratë të përbashkët se vizat e tyre ishin anuluar nga Izraeli.
"Dy ditë përpara (vizitës sonë), autoritetet izraelite na anuluan vizat, të cilat i kishin miratuar një muaj më parë", theksuan anëtarët e delegacionit duke shtuar se qëndrimi i Izraelit ishte një "dënim kolektiv" për mbështetjen e tyre për Palestinën.
Anëtarët e delegacionit, të përbërë nga parlamentarë të majtë dhe zyrtarë të zgjedhur lokalë, i kërkuan presidentit francez Emmanuel Macron të ndërmarrë veprime për të siguruar që Izraeli t'u japë atyre viza sa më shpejt të jetë e mundur.
Anëtarët e delegacionit theksuan se e mirëpritën njoftimin e Francës se do të ndërmerrte hapa për të njohur shtetin e Palestinës, të cilin ata e kanë kërkuar prej vitesh.
Autoritetet izraelite edhe më parë kishin refuzuar hyrjen në vend të përfaqësuesve francezë të Parlamentit Evropian (PE) dhe disa politikanëve evropianë.