Izraeli kërcënon se do të ndalojë palestinezët e zhvendosur të kthehen në Gazën veriore pas lirimit të ushtarëve
“Në përputhje me marrëveshjen, Izraeli nuk do të lejojë kalimin e popullit të Gazës në veri të Rripit të Gazës, deri në marrëveshjen e lirimit të civiles Arbel Yehud, e cila supozohej të lirohet sot”, tha zyra e Netnayahut
Ankara
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar se do të ndalojë kthimin e palestinezëve në veri të Gazës, duke e akuzuar Hamasin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, transmeton Anadolu.
Zyra e kryeministrit Netanyahu pretendoi se Hamasi shkeli marrëveshjen e Gazës duke dështuar në lirimin e gruas izraelite të mbajtur peng Arbel Yehud.
“Izraeli ka pranuar katër pengje ushtare nga Hamasi dhe në këmbim do të lirojë të burgosurit e sigurisë”, tha zyra e Netanyahut.
Më herët, Hamasi liroi katër ushtare izraelite sipas marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin.
“Në përputhje me marrëveshjen, Izraeli nuk do të lejojë kalimin e popullit të Gazës në veri të Rripit të Gazës, deri në marrëveshjen e lirimit të civiles Arbel Yehud, e cila supozohej të lirohet sot”, tha zyra e Netnayahut.
Në fazën e parë të ditës së armëpushimit të Gazës, Izraeli ishte planifikuar të tërhiqet nga zona e Korridorit Netzarim që ndan Gazën veriore nga jugu i saj, duke u mundësuar palestinezëve të zhvendosur të kthehen në zonat e tyre në Gazën veriore.
Rreth 200 të burgosur palestinezë gjithashtu është planifikuar të lirohen nga Izraeli sot sipas marrëveshjes së Gazës.
Faza e parë 6-javore e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 111.400 të tjerë.
Në ditën e parë të armëpushimit, Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë në këmbim të tre pengjeve izraelite të liruara nga Hamasi.
Marrëveshja prej tre fazash e armëpushimit përfshin shkëmbim të të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të forcave izraelite nga Gaza.
Sulmet izraelite gjithashtu kanë lënë 11 mijë njerëz të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një ndër fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën e tij në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.