Izraeli liron 80 të burgosur palestinezë nga Gaza
Një burim mjekësor tha se të paktën 10 nga të burgosurit e liruar ishin në gjendje të keqe shëndetësore dhe u shtruan në Spitalin e Martirëve Al-Aksa në qytetin qendror Deir al-Balah

Gaza
Ushtria izraelite mëngjesin e sotëm ka liruar rreth 80 të burgosur palestinezë nga Rripi i Gazës, raporton Anadolu.
Burimet lokale thanë se të burgosurit u liruan në pikën kufitare Kissufim të kontrolluar nga Izraeli në pjesën lindore të qytetit Khan Younis në Rripin e Gazës jugore.
Një burim mjekësor tha se të paktën 10 nga të burgosurit e liruar ishin në gjendje të keqe shëndetësore dhe u shtruan në Spitalin e Martirëve Al-Aksa në qytetin qendror Deir al-Balah.
"Një nga të burgosurit e liruar është në një gjendje shumë kritike dhe është i paaftë të lëvizë, me trupin e tij që mban shenja të qarta torture", tha burimi mjekësor për Anadolu.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment nga Izraeli ose grupi palestinez Hamas mbi lirimet e të burgosurve palestinezë.
Qindra të burgosur nga Gaza u liruan më herët nga burgjet izraelite në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve të muajit janar midis Izraelit dhe Hamasit.
Nuk ka shifra të sakta zyrtare për numrin e banorëve të Gazës të burgosur nga Izraeli, por vlerësimet sugjerojnë se numri i tyre është me mijëra.
Më 18 mars, Izraeli rifilloi një fushatë të papritur të sulmeve ajrore në Gaza dhe që atëherë ka vrarë të paktën 1.500 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 3.700 të tjerë, duke shkelur armëpushimin e muajit janar dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se do të përshkallëzojë sulmet në Gaza derisa përpjekjet janë duke u zhvilluar për të zbatuar planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për zhvendosjen e palestinezë nga enklava.
Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi i vazhdueshëm izraelit ka marrë jetën e të paktën 50.800 palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.