Bota

Izraeli refuzon mbajtjen e zgjedhjeve në Kuds

Palestinezët do të zgjedhin legjislaturën e re më 22 maj dhe presidentin më 31 korrik pas një boshllëku prej 15 vjetësh

Ekip  | 25.04.2021 - Përdıtësım : 26.04.2021
Izraeli refuzon mbajtjen e zgjedhjeve në Kuds Foto: AA/Arkiv

Ramallah

Izraeli ka refuzuar kërkesën palestineze për mbajtjen e zgjedhjeve në qytetin e okupuar të Kudsit, tha një zyrtar palestinez, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Izraeli nuk u përgjigj pozitivisht ndaj kërkesës palestineze dhe presionit ndërkombëtar për të lejuar zgjedhjet në Kuds", deklaroi Azzam al-Ahmad, një anëtar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), për Radion zyrtare Zëri i Palestinës.

"Izraeli i përmbahet marrëveshjes së shekullit të SHBA-së dhe e konsideron atë një fitore", tha al-Ahmad.

Vitin e kaluar, ish-Presidenti i SHBA-së Donald Trump zbuloi planin e diskutueshëm, i cili i referohet Kudsit si "kryeqyteti i pandarë i Izraelit" dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.

Plani, i cili ka shkaktuar valë dënimesh nga palestinezët, kërkon krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele.

Al-Ahmad, i cili është gjithashtu anëtar i Komitetit Qendror të Fatahut, tha se grupi palestinez do të mblidhet më vonë gjatë ditës për të diskutuar pjesëmarrjen e Kudsit në zgjedhjet e ardhshme.

Palestinezët që banojnë në Kudsin Lindor morën pjesë në zgjedhjet e mëparshme të mbajtura më 1996, 2005 dhe 2006. Ata votuan në gjashtë qendra postare izraelite të ngritura në qytet. Votat u dërguan më pas me postë te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Palestineze.

Palestinezët do të zgjedhin legjislaturën e re më 22 maj dhe presidentin më 31 korrik pas një boshllëku prej 15 vjetësh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın