Bota

"Izraeli vështirë se do të nisë një luftë të re me Hamasin"

Bashkëthemeluesi i Hamasit, Mahmoud al-Zahar thotë se qeveria aktuale izraelite ende përballet me rrezikun e rrëzimit

Esat Fırat, Turgut Alp Boyraz  | 25.08.2021 - Përdıtësım : 25.08.2021
"Izraeli vështirë se do të nisë një luftë të re me Hamasin" Foto: Mustafa Hassona / AA

Gaza

Qeveria e re e Izraelit vështirë se do të nisë një luftë të re kundër Hamasit ndërkohë edhe Hamasi nuk është për luftë, tha bashkëthemeluesi i grupit të rezistencës palestineze.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Mahmoud al-Zahar, i cili është mjek dhe gjithashtu ushtroi detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë palestineze të formuar në vitin 2006 të udhëhequr nga kryeministri lsmail Haniyeh, komentoi tensionet aktuale në kufirin e Gazës, luftën kundër Izraelit dhe shkëmbimin e mundshëm të të burgosurve.

"Nuk ka asnjë tension të ri në nivel kombëtar. Izraeli ka intensifikuar bllokadën kundër popullit të Gazës ditët e fundit në aspektin e ushqimit, ilaçeve, ujit dhe energjisë elektrike", tha Al-Zahar, duke shtuar se populli palestinez reagoi ndaj krimit izraelit dhe kërkoi heqjen e bllokimeve.

Të shtunën, 41 palestinezë dhe një ushtar izraelit u plagosën në demonstratat e organizuara në kufirin e Rripit të Gazës të bllokuar në 52 vjetorin e djegies së Xhamisë Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit, nga një hebre fanatik në vitin 1969.

Policia izraelite tha se një ushtar izraelit u plagos rëndë nga të shtënat me armë në të njëjtën ditë.

Tensionet u rritën në rajon pas demonstratave në kufirin ndërmjet Gazës dhe Izraelit. Ushtria izraelite njoftoi se kishte dërguar përforcime në kufirin me Gazën ndërsa fraksionet e rezistencës palestineze ishin gjithashtu në gjendje alarmi.

Si përgjigje, avionët luftarakë izraelitë më 22 gusht goditën katër objektiva që u përkisnin Brigadave Al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit.

Hamasi është projekti i rezistencës

Duke tërhequr vëmendjen për dallimin midis rezistencës dhe luftës, Al-Zahar tha: "Para së gjithash, Hamasi është projekt i rezistencës kundër shtetit okupator. Sigurisht, ekziston një ndryshim midis rezistencës dhe luftës. Lufta është një nga mjetet e rezistencës”.

"Megjithatë, ne nuk duam një luftë të rastësishme. Ne duam një luftë çlirimtare, pasi shumë vende u çliruan nga kolonializmi me rezistencë. Kjo është arsyeja pse ne jemi një projekt rezistence, jo një lëvizje lufte".

Duke theksuar se Izraeli është i pajisur me armët më të fuqishme dhe moderne, ai vuri në dukje se sulmet e Izraelit në Gaza në maj dhe përgjigjja e rezistencës palestineze, veçanërisht Hamasit, "paraqiti një model se si t'i shkaktohet dhimbje armikut, i cili është gjithashtu një model për çlirimin e Palestinës kur të krijohen kushtet”.

"Izraeli nuk do të nisë një aventurë të re lufte"

Ndërsa theksoi se ata nuk duan t'i japin Izraelit një ndjenjë sigurie, udhëheqësi i Hamasit vuri në dukje se ai beson se administrata aktuale e Tel Avivit nuk do të hyjë në një luftë të re.

"Unë personalisht nuk mendoj se qeveria izraelite, e cila erdhi në pushtet me votë, do të nisë një aventurë dhe do ta tërheqë rajonin në një luftë të re. Ata madje as nuk kanë arritur të fshijnë gjurmët e një kolapsi të mundshëm”, tha Al-Zahar.

Sipas tij, përshkallëzimi i fundit ushtarak në maj "nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Izraelit".

Ai pohoi se Izraeli është i vetëdijshëm për fuqinë e rezistencës palestineze, veçanërisht Hamasit, i cili nuk u prek nga përshkallëzimi i fundit.

"Siç thashë, unë mendoj se qeveria e re, e cila u formua para pak muajsh, nuk do të nisë një aventurë të re lufte", shtoi Al-Zahar.

Lidhur me shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin, ai tha se negociatat janë duke u zhvilluar për rreth dy vjet, por pa ndonjë rezultat dhe nuk është e qartë se kur do të arrijnë në një përfundim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.