Izraeli vret 87 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, në Beit Lahia të Gazës veriore
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 40 persona janë plagosur nga sulmet izraelite, përfshirë disa në gjendje kritike
Gaza
Të paktën 87 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën në sulmet ajrore izraelite që synuan zona banimi në qytetin Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e enklavës, transmeton Anadolu.
Ministria tha në një deklaratë se 40 persona të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite, përfshirë disa në gjendje kritike.
Më herët, Zyra e Medias në Gaza tha se shumica e civilëve të vrarë nga sulmet ajrore janë fëmijë dhe gra, pasi ushtria “bombardoi nga ajri zona të banuara me popullsi të dendur”.
“Ushtria okupatore izraelite vazhdon fushatën e saj të qartë të spastrimit etnik, shfarosjes dhe gjenocidit, këtë herë në Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës”, shtoi ajo.
Për të 16-ën ditë radhazi, ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën e saj në veri të Gazës.
Gaza veriore është nën një rrethim paralizues dhe bombardime të vazhdueshme, me shtëpitë që janë shkatërruar mbi banorët e tyre.
Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga tetori i vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 42.600 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 99.800 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e Gazës, krahas bllokadës së vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.