Emel Öz Gözellik
13 Mars 2018•Përditësim: 13 Mars 2018
ANKARA (AA) – Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të ndërmarrë hapa konkretë në rrugën drejt çarmatimit bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve "Kyodo", kryeministri Abe në një deklaratë para takimit me Shefin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Koresë së Jugut, Suh Hoon në kryeqytetin japonez Tokio ka thënë se mirëpresin dialogun i cili mbështetet në çarmatimin bërthamor.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që Koreja e Veriut të ndërmarrë hapa konkretë në rrugën e çarmatimit bërthamor”, ka thënë Abe.
Ndërsa Hoon në një deklaratë pas takimit me Abe-n në zyrën e kryeministrit ka theksuar se Abe gjatë takimit ka shprehur respektin për kryesimin e presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in për zhvillimin e marrëdhënieve mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut për çështjen e pastrimit të Gadishullit Korean nga armët bërthamore.
Ai po ashtu tha se Abe është i gatshëm për bashkëpunim për të arritur sukses në takimet që do të zhvillohen mes Phenianit dhe Seulit dhe në mes të SHBA-ve dhe Koresë së Veriut.
Kryeministri i Japonisë Abe pritet që muajin e ardhshëm të vizitojë SHBA-të.