Said İbicioğlu
30 nëntor 2021•Përditësim: 30 nëntor 2021
Koalicioni arab, i cili mbështet forcat qeveritare në Jemen, njoftoi se nga sulmet ajrore u shkatërruan depot e punishteve të raketave balistike në kryeqytetin Sana, e cila është nën kontrollin e rebelëve Houthi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e koalicionit u bë në agjencinë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite SPA.
Në deklaratë thuhet se janë shkatërruar punëtoritë e montimit të raketave balistike në bazën ajrore Al-Dulaimi e lidhur me aeroportin e kryeqytetit Sana dhe një tjetër depo në kryeqytet.
Koalicioni arab tha se një zonë sekrete që i përkiste ekspertëve të Gardës Revolucionare iraniane në Sana ishte gjithashtu në shënjestër.
Kanali Al-Masira, i cili është i lidhur me Houthitë, njoftoi se avionët e koalicionit kryen tre sulme ajrore në aeroportin Sana.
Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, që nga shtatori 2014 rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone.
Ndërsa që nga marsi i vitit 2015 forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Houthive.