Ekip
11 Shkurt 2025•Përditësim: 11 Shkurt 2025
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit, palestinezët në Rripin e Gazës së shkatërruar nga sulmet izraelite vazhdojnë jetën e tyre të përditshme në kushte të vështira mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara, raporton Anadolu.
Ndër zonat tërësisht të shkatëruara është edhe kampi i refugjatëve Jabalia, ku disa palestinezë shihen duke u munduar të ngrenë tregje të vogla mes rrënojave për të shitur perime dhe fruta të freskëta derisa janë kapluar nga kushte të vështira për jetesë, përfshirë edhe ato themelore.
Më herët, autoritetet lokale të enklavës palestineze shpallën tre qytete në Rripin e Gazës “zona të katastrofës” pas luftës shkatërruese izraelite.
Autoritetet theksuan se “qytetet Al-Zahraa, Al-Mughraqa dhe Ëadi Gaza janë të pabanueshme dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente në të gjitha anët”, duke apeluar ndaj organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve humanitare që "të ndërhyjnë urgjentisht për të siguruar pajisje dhe makineri riparimi për rivendosjen e rrjeteve të ujit, kanalizimeve, si dhe rrugëve".
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza ka qenë në fuqi që nga 19 janari, e cila ndaloi luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë afër 48.200 njerëz dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.