Gamze Türkoğlu Oğuz
25 Prill 2019•Përditësim: 26 Prill 2019
Ish-zëvendëspresidenti amerikan gjatë mandatit të Barack Obama-s, Joe Biden, njoftoi zyrtarisht se do të jetë kandidat brenda Partisë Demokratike për të fituar të drejtën për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale në vitin 2020 në Shtetet e Bashkuara (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi. Nëse i mundësojmë Donald Trumpit tetë vite në Shtëpinë e Bardhë, ai rrënjësisht dhe përgjithmonë do ta ndryshojë karakterin e këtij kombi dhe unë nuk mund të qëndroj si spektator dhe të shikoj këtë duke ndodhur", tha Biden në shpalljen e kandidaturës përmes një videoje të postuar në rrjetin social Twitter.
Burimet e afërta të Biden-it më herët kanë thënë për mediat amerikane se ish-zëvendëspresidenti i ka kryer të gjitha përgatitjet për të hyrë në garën presidenciale.
Siç është njoftuar, 76-vjeçari Biden do të drejtojë fushatën nën moton "kandidati i vetëm demokrat që do të mboshtë presidentin republikan Donald Trump dhe do ta bashkojë partinë".
Sipas anketave, Biden është emri më i parapëlqyer në mesin e elektoratit demokrat. Një ankete e fundit e Universitetit Monmouth ka treguar se Biden gëzon 27 për qind të mbështetjes në mesin e demokratëve, ndërsa pas tij radhitet senatori i Vermont-it Bernie Sanders me 20 për qind.
Para zgjedhjeve të 59-ta presidenciale që do të mbahen më 3 nëntor të vitit 2020, partitë fillimisht zgjedhin kandidatin në një garë brendapartiake. Në Partinë Demokratike 20 kandidatë do të jenë pjesë e garës për t'u zgjedhur kandidat presidencial.
Ndërkaq, në Partinë Republikane, presidenti Donald Trump pritet të hyjë në garë për një mandat të dytë.