Jordanezët marshojnë në mbështetje të Gazës që ndodhet nën sulmet izraelite
Demonstruesit marshuan deri në sheshin "Palm" (Nakheel) duke protestuar kundër ndalesës së Izraelit ndaj aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA)
Aman
Qindra jordanezë mbajtën protestë në Aman në solidaritet me Rripin e Gazës, i cili prej më se një viti i është nënshtruar sulmeve izraelite, raporton Anadolu.
Me thirrjen e Forumit Kombëtar për Mbështetjen e Rezistencës që është një grup politik në Jordani, shumë njerëz u mblodhën në afërsi të xhamisë Al-Husseini në kryeqytetin Aman.
Demonstruesit marshuan deri në sheshin "Palm" (Nakheel) duke protestuar kundër ndalesës së Izraelit ndaj aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Duke treguar solidaritet me Gazën, jordanezët brohoritën slogane në mbështetje të rezistencës palestineze dhe Hamasit.
Said ed-Dumur, një nga protestuesit tha për gazetarin e AA-së se "Ne dolëm sot për të theksuar kërkesat e popullit jordanez, ummetit arab dhe islam dhe kërkesat e njerëzimit. A nuk mjafton ajo që ka ndodhur tashmë?".
Dumur u bëri thirrje vendeve arabe dhe islame të ndërmarrin veprime për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban.
Më 28 tetor, parlamenti izraelit miratoi projektligjin për t'i dhënë fund aktiviteteve të UNRWA-së në territoret e pushtuara palestineze.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, janë vrarë 43.764 palestinezë, përfshirë rreth 17.210 fëmijë dhe 11.742 gra ndërsa janë plagosur 103.490 të tjerë.
Gjithashtu, thuhet se nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.