Davut Demircan
03 Qershor 2020•Përditësim: 03 Qershor 2020
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi paralajmëroi të martën për pasoja të rënda në lidhje me marrëdhëniet e vendit të tij me Tel Avivin dhe për paqen në rajon nëse Izraeli anekson pjesë të Bregut Perëndimor dhe Luginës së Jordanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Jordanisë thuhet se Safadi mori pjesë në një takim ministror të Komitetit Ndërlidhës Ad Hoc për ndihmë ndaj palestinezëve përmes video-konferencës.
Safadi tha se parandalimi i i Izraelit për aneksim në Bregun Perëndimor do të thotë të mbrosh paqen.
“Mesazhi ynë duhet të jetë i qartë. Vendimi i Izraelit për aneksim nuk do të jetë pa përgjigje. Nëse zbatohet vendimi i aneksimit do të fillojë një konflikt i dhunshëm dhe opsioni i zgjidhjes me dy shtete do të jetë i pamundur. Mundësitë gjithëpërfshirëse të paqes do të shkatërrohen", tha ai.
Izraeli pritet të kryejë aneksimin më 1 korrik siç u ra dakord midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Benny Gantz, kreut të partisë "Kaltër dhe Bardhë".
Plani vjen si pjesë e të ashtuquajturës "Marrëveshja e Shekullit" të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump që u prezantua më 28 janar. Ai i referohet Kudsit si "kryeqyteti i pandarë i Izraelit" dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor nën okupim.
Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele.
Zyrtarët palestinezë thonë se sipas planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30-40 për qind të Bregut Perëndimor, përfshirë të gjithë Kudsin Lindor.