Ömer Aydın
13 Shtator 2017•Përditësim: 13 Shtator 2017
STRASBURG (AA) - Presidenti i Komisionit Evropian (BE) Jean-Claude Juncker, deklaroi se për funksionimin dhe përparimin në mënyrë më të mirë Unioni ka nevojë për më shumë reforma, raporton Anadolu Agency (AA).
Juncker, i cili ka mbajtur një fjalim tradicional me temë “Situata e Unionit” në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (AP-PE) tha se "Po riparojmë çatinë e Evropës por duhet që të ngjitemi edhe në kate të tjerë".
Në fjalimin e tij Juncker i është drejtuar anëtarëve për situatën në temat si progresi i institucioneve të BE-së, Zona e Shengenit, EuroZona, Brexit, anëtarësimi i Turqisë në BE, e ardhmja e BE-së dhe situata ekonomike e politike. Ai ka bërë thirrje për eliminimin e ndryshimeve mes perëndimit dhe lindjes së BE-së.
Refuzim ndaj propozimit të Macron
Duke iu përgjigjur deklaratës së mëparshme të presidentit francez Emmanuel Macron për formimin e një Parlamenti të Eurozonës, Juncker tha se "Parlamenti i Eurozonës është Parlamenti Evropian".
Më tej duke mbrojtur idenë se BE-ja ka nevojë për një ndryshim të thellë, Juncker tha se duhet të formohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Eurozonës.
Juncker pasi ka cekur edhe sulmet kibernetike theksoi se "Sulmet kibernetike mund të jenë më të rrezikshme se armët dhe tanket për stabilitetin ekonomik dhe demokratik".
"Tashmë ka ardhur koha për të ndërtuar një Evropë më të bashkuar, më të fortë dhe më demokratike", potencoi presidenti i KE-së.
Juncker ka nënvizuar se lufta kundër terrorizmit është një nga problemet më të rëndësishme të BE-së dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së për formimin e një njësie të inteligjencës e cila të mbledhë informacione për terroristët dhe luftëtarët e huaj në mënyrë automatike me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare.
Ai shtoi se për një BE më të fortë dhe më efektive KE dhe kryesia e Këshillit Evropian duhet të bashkohen.
Në anën tjetër Juncker ka mbrojtur idenë se "Turqia duhet ti japë fund kritikave të ashpra ndaj disa vendeve anëtare".
Duke shpresuar që BE-ja gjithmonë do t'i zgjasë dorën popullit turk, Juncker shprehu pikëpamjen e tij se "po bëhen përpjekje për të përgatitur dështimin e negociatave për anëtarësim".