Kanada, i dyshuari për vdekjen e 11 personave në festivalin në Vancouver akuzohet për vrasje
Prokuroria bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, akuzon 30-vjeçarin Kai-Ji Adam Lo nga Vancouveri me "tetë akuza për vrasje të shkallës së dytë"

Ankara
I dyshuari që shkaktoi vdekjen e 11 personave duke përplasur makinën e tij me një turmë njerëzish në Vancouver të Kanadasë, akuzohet për vrasje, transmeton Anadolu.
Departamenti i Policisë së Vancouverit bëri një informim lidhur me incidentin ku një automjet u përplas me njerëzit që merrnin pjesë në një festival rrugor gjatë fundjavës.
Sipas kësaj, Prokuroria bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, akuzon 30-vjeçarin Kai-Ji Adam Lo nga Vancouveri me "tetë akuza për vrasje të shkallës së dytë".
"Vlerësimi i akuzave vazhdon dhe priten akuza të mëtejshme (kundër të akuzuarit)", thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se nuk ka "asnjë tregues se incidenti ka lidhje me terrorizmin".
Në mediat vendase është raportuar se i akuzuari po mbahet në paraburgim.
Popullata vendase mbajti ceremoni përkujtimore në kishën "St. Mary the Virgin" në Vancouver për ata që humbën jetën në incident.
- Ngjarja
Mbrëmjen e 26 prillit në Vancouver, një drejtues përplasi automjetin e tij drejt një turme njerëzish që po festonin festivalin "Dita e Lapu Lapu" të komunitetit filipinas.
Në ngjarje humbën jetën 11 persona të moshës midis 5 dhe 65-vjeç ndërsa 24 të tjerë u plagosën.
Shefi i Policisë së Vankuverit, Steve Rai në konferencë për media e cilësoi incidentin si "ditën më të errët në historinë e qytetit". Ai tha se drejtuesi i mjetit kishte probleme me shëndetin mendor dhe për këtë çështje ishte përballur me policinë disa herë më parë.
Në një deklaratë nga Departamenti i Policisë së Vancouverit thuhet se incidenti "nuk ishte akt terrorist".
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney në një deklaratë në llogarinë e tij X shprehu keqardhjen e thellë për incidentin. Ai përcolli urimet për shërim të shpejtë filipinasve në vend dhe shtoi se po ndiqnin situatën nga afër.