Kanada, makina përplas turmën në festivalin në Vancouver, 9 të vdekur
Policia tha se është “e bindur” se incidenti nuk është akt terrorizmi

Istanbul
Nëntë persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë lënduar pasi një automjet u përplas me turmën të shtunën në mbrëmje në një festival rrugor filipinas në Vancouver të Kanadasë, konfirmoi sot policia, transmeton Anadolu
“Deri tani, mund të konfirmojmë se nëntë persona kanë vdekur pasi një burrë u përplas me turmën në festivalin e mbrëmshëm ‘Lapu Lapu’”, tha Policia e Vancouverit në X.
Policia tha se është “e bindur” se incidenti nuk është akt terrorizmi.
Shoferi, një burrë 30-vjeçar nga Vancouveri, është aktualisht në paraburgim.
Kryeministri kanadez Mark Carney shprehu ngushëllimet e tij në një postim në X, duke thënë: “Jam i shkatërruar nga ngjarjet e tmerrshme në festivalin Lapu Lapu në Vancouver më herët këtë mbrëmje”.
“U shpreh ngushëllimet e mia më të thella të dashurve të të vrarëve dhe të lënduarve, komunitetit filipino-kanadez dhe të gjithëve në Vancouver. Ne të gjithë jemi në zi me ju”, shtoi ai, duke deklaruar se po e monitorojnë nga afër situatën.
Automjeti u përplas me një turmë të mbledhur për Festën e Ditës së Lapu Lapusë, një festë vjetore në nder të heroit të parë kombëtar të Filipineve.