Barry Ellsworth
24 Dhjetor 2021•Përditësim: 25 Dhjetor 2021
Kanadaja ka përmbushur objektivin e saj të imigracionit dhe ka mirëpritur 401 mijë banorë të përhershëm në vitin 2021, numri më i madh në historinë e saj, njoftoi qeveria të enjten, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Vitin e kaluar vendosëm një objektiv ambicioz. Sot, ne e arritëm atë", tha në një deklaratë ministri i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë Sean Fraser. "Ky është një moment historik për vendin tonë, pasi ne mirëpresim numrin më të madh të të ardhurve në një vit në historinë tonë", tha ai.
Rekordi i mëparshëm ishte 400 mijë i vendosur në vitin 1913. Por, ata emigrantë të hershëm ishin kryesisht nga Britania e Madhe dhe Evropa. Ndërsa shifra prej 401 mijë nuk u nda në vende specifike, të ardhurit e vitit 2021 ishin nga vende të ndryshme, përfshirë Kinën, Indinë, Filipinet, Nigerinë, Iranin dhe SHBA-në. Ka të ardhur edhe nga Turqia.
Fraser tha se shumica e të ardhurve ishin tashmë në Kanada me status të përkohshëm. Ndërsa shumë vende po "mbyllin dyert e tyre për refugjatët", Kanadaja shtroi tapetin e mirëseardhjes për emigrantët, tha ai. Një në tre biznese kanadeze është në pronësi të një emigranti dhe një në katër nga të ardhurit janë punonjës të kujdesit shëndetësor.
“Kanadaja ka nevojë për emigracion për të nxitur ekonominë tonë, për të pasuruar shoqërinë tonë dhe për të mbështetur popullsinë tonë në plakje”, thuhet në deklaratë. "Ekspertët e biznesit, të tregut të punës dhe ekonomistët pajtohen të gjithë se imigrimi krijon vende pune, nxit inovacionin dhe ndihmon në adresimin e mungesës së fuqisë punëtore", thuhet më tej.
Imigrimi përbën pothuajse 100 për qind të rritjes së fuqisë punëtore të Kanadasë ndërsa deri në vitin 2036, emigrantët do të përfaqësojnë deri në 30 për qind të popullsisë së Kanadasë, tha Fraser.
Emigrantët janë në punët kyçe të lidhura me shëndetin në Kanada, duke përbërë 37 për qind të farmacistëve, 36 për qind të mjekëve, 39 për qind të dentistëve, 23 për qind të infermierëve të regjistruar dhe 35 për qind të ndihmësve të infermierisë dhe profesioneve të tjera shëndetësore.