Bota

Kancelari gjerman: 15 milionë makina elektrike në rrugët e vendit deri në vitin 2030

Lidhur me konkurrencën nga Kina, e cila ishte shumë e pranishme në IAA, kancelari gjerman me vendosmëri hodhi poshtë çdo frikë se industria gjermane e automobilave mund të lihet pas

Timo Kirez  | 05.09.2023 - Përdıtësım : 06.09.2023
Kancelari gjerman: 15 milionë makina elektrike në rrugët e vendit deri në vitin 2030 Foto: AA/Arkiv

Gjenevë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se Gjermania po i qëndron objektivit për të nxjerrë në rrugë 15 milionë makina elektrike deri në vitin 2030, transmeton Anadolu.

Në fjalimin e tij të hapjes në Panairin Ndërkombëtar të Makinave në Mynih (IAA), Scholz u bëri thirrje prodhuesve që të ofrojnë makina më të përballueshme.

“Qëllimi nuk është i ri, ajo që është e re është se ne po e zbatojmë atë gjithashtu”, tha Scholz.

Lidhur me konkurrencën nga Kina, e cila ishte shumë e pranishme në IAA, kancelari gjerman me vendosmëri hodhi poshtë çdo frikë se industria gjermane e automobilave mund të lihet pas.

“Konkurrenca duhet të na nxisë, jo të na trembë”, tha ai.

Scholz theksoi se edhe në të kaluarën ka pasur shqetësime për konkurrencën nga jashtë, vetëm se në atë kohë ishte për prodhuesit japonezë dhe më vonë koreanë.

“Gjermania ende është pika kryesore e industrisë së automobilave dhe do të mbetet e tillë”, u shpreh Scholz.

Megjithatë, tha ai, qëllimi duhet të jetë “lëvizshmëria neutrale ndaj klimës në Gjermani dhe nga Gjermania”.

“Ne duhet të lëvizim në një mënyrë që të mos dëmtojmë natyrën, si në këtë vend ashtu edhe në mbarë botën”, theksoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.