Kancelari gjerman: Vetëm socialdemokratët mund të parandalojnë luftën NATO-Rusi
Scholz theksoi rolin e Gjermanisë si mbështetës kryesor i Ukrainës në Evropë, derisa refuzoi me vendosmëri thirrjet për të ofruar raketa lundrimi me rreze të gjatë që mund të godasin thellë territorin rus
Berlin
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë fushatë zgjedhore, duke e pozicionuar partinë e tij socialdemokrate (SPD) si të vetmen forcë politike të aftë për të parandaluar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, transmeton Anadolu.
Në një fjalim të mbajtur në një ngjarje partiake në Berlin, kancelari Scholz theksoi rolin e Gjermanisë si mbështetës kryesor i Ukrainës në Evropë, derisa refuzoi me vendosmëri thirrjet për të ofruar raketa lundrimi me rreze të gjatë që mund të godasin thellë territorin rus.
“Qeveria jonë vendosi të mbështesë Ukrainën, ta ndihmojë atë me armë, me mjete financiare dhe ne aktualisht jemi mbështetësi më i madh i Ukrainës në të gjithë Evropën. Por në të njëjtën kohë, ne duhet të sigurohemi që kjo luftë e tmerrshme të mos përshkallëzohet në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha se ai është i vetëdijshëm se shumë qytetarë gjermanë janë të shqetësuar për sigurinë dhe paqen në Evropë, veçanërisht pas përshkallëzimit të fundit, me Rusinë për herë të parë që godet Ukrainën duke përdorur një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi.
“Ky është një përshkallëzim i tmerrshëm, ashtu si vendosja e ushtarëve të Koresë së Veriut të cilët tani po përdoren në këtë luftë dhe po vdesin për ëndrrën perandorake të presidentit rus, Vladimir Putin”, tha ai.
Scholz theksoi se në dy vitet e fundit, ai vazhdimisht ka vepruar me maturi dhe ka koordinuar përpjekjet e Berlinit me aleatët dhe vendet partnere për të parandaluar konfrontimin e drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ai gjithashtu premtoi se kjo qasje do të vazhdojë nëse SPD-ja do të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme të planifikuar për më 23 shkurt të vitit 2025.
“Nëse ju jeni mbështetësi më i madh i Ukrainës, është gjithashtu e rëndësishme që ta bëni këtë të ngulitur në aleanca dhe miqësi, si dhe gjithashtu me maturi dhe të bëni atë që e pengon një përshkallëzim të tillë që të kthehet në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s”, tha Scholz, duke theksuar se ai ka qenë i “përkushtuar” për këtë dhe e ka bërë këtë.
Më tej, kancelari Scholz tha se votuesit gjermanë mund të mbështeten te socialdemokratët për të mbajtur një qasje të ekuilibruar ndaj Ukrainës, një qasje që kombinon mbështetjen e palëkundur me hapa të kujdesshme për të shmangur konfliktin e drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ai po ashtu theksoi historikun e partisë së tij për marrjen e vendimeve të matura që mbrojnë interesat gjermane.
“Si socialdemokratë, ne kemi thënë se nuk duam të furnizojmë Ukrainën me raketa lundrimi që mund të hidhen larg në territorin rus. Dhe ne gjithashtu kemi thënë se nuk do të sigurojmë leje që armët e avancuara që kemi furnizuar të përdoren në një mënyrë të tilla. Do të doja të them se kjo është e mundur vetëm me SPD-në, në një çështje kaq të vështirë, duke vepruar me maturi, në të njëjtën kohë duke ofruar mbështetje për Ukrainën”, tha Scholz.
Partitë e tjera politike gjermane kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për çështjen e raketave.
Unioni Kristian Demokrat (CDU/CSU) i opozitës ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për dërgimin e raketave të lundrimit ‘Taurus’ në Ukrainë, duke argumentuar se mbështetja e shtuar ushtarake do të ndihmonte në përfundimin e konflikteve më shpejt.
Të Gjelbrit, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës, gjithashtu janë treguar më të hapur për të ofruar raketa me rreze të gjatë veprimi, me kandidatin e tyre për kancelar, Robert Habeck, i cili ka deklaruar se nëse zgjidhet në krye të qeverisë, ai do t’i dorëzonte Ukrainës raketa lundrimi ‘Taurus’.
Partia Demokratike e Lirë, e cila u largua nga qeveria e koalicionit qeverisës në fillim të këtij muaji, gjithashtu argumentoi se Gjermania duhet të ndjekë shembullin pas vendimit të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të lejuar Ukrainën të përdorë armë amerikane me rreze të gjatë dhe të dërgojë raketa ‘Taurus’ në Ukrainë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.