İdiris Okuduci
26 mars 2022•Përditësim: 27 mars 2022
Në kryeqytetin e Katarit filloi sot edicioni jubilar i 20-të i Forumit të Dohas ndërsa Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani deklaroi se lufta në Ukrainë ka treguar se themelet e rendit ndërkombëtar po ndryshojnë, raporton Anadolu Agency (AA).
Al-Thani foli në hapjen e Forumit tradicional "Doha 2022" me temën "Transformimi për epokën e re".
Duke folur për efektet e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë në jetën e civilëve dhe sigurinë ndërkombëtare, Al-Thani tha se metodat ushtarake kohët e fundit janë renditur në krye të zgjedhjeve në mesin e preferencave për zgjidhjen e problemeve.
"Shembulli më konkret i kësaj është Ukraina", tha Al-Thani duke shtuar se në kuadër të forumit duan të tërheqin vëmendjen mbi këtë situatë.
"Po përjetohen shkelje të të drejtave ndërkombëtare të njeriut të cilat kërcënojnë jetën e civilëve dhe injorojnë sovranitetin e vendeve. Ne qëndrojmë në solidaritet me miliona civilë dhe refugjatë të pafajshëm që janë viktima të luftës për shkak të llogaritjeve gjeopolitike", tha në fjalën e tij Al-Thani.
Emiri i Katarit, Al-Thani foli edhe për çështjen e refugjatëve palestinezë. "Nuk duhet të harrohet as situata e miliona refugjatëve palestinezë të cilët janë përballur me pushtimin 70-vjeçar të Izraelit dhe neglizhencën e komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu në të njëjtën mënyrë janë edhe miliona sirianë dhe afganë të cilët nuk kanë mundur të marrin drejtësi sociale për shkak neglizhencës së komunitetit ndërkombëtar", tha ai.
"COVID-19 dhe lufta e përjetuar në Evropa na tregon se ne duhet të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe ta formësojmë këtë", deklaroi Al-Thani i cili më tej shtoi:
"Vendet e mëdha, problemeve të të ardhmes do t‘u japin përgjigje me armë të reja të avancuara? Njerëzia nuk duhet të pranojë këtë skenar shkatërrues. Përveç luftës, duhet të ketë metoda të reja zgjidhjeje që duhen përdorur".
“Lufta ka treguar, pa asnjë dyshim, se formulat mbi të cilat u bazua rendi ndërkombëtar ndryshuan pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë”, tha Al-Thani.