Bota

Katari: Bisedimet e ndërmjetësimit janë në fazë kritike, Irani thekson t’i jepet fund "gjenocidit" në Gaza

"... Theksova nevojën për të vazhduar përpjekjet praktike gjithëpërfshirëse dhe masat diplomatike për të ndaluar gjenocidin sionist në Gaza", tha shefi i diplomacisë iraniane

Ikrame Imane Kouachi  | 16.08.2024 - Përdıtësım : 16.08.2024
Katari: Bisedimet e ndërmjetësimit janë në fazë kritike, Irani thekson t’i jepet fund "gjenocidit" në Gaza

Teheran

Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka deklaruar se negociatat e ndërmjetësimit për të zbatuar një armëpushim në Gaza kanë arritur në një pikë kritike në bisedimet me homologun e tij iranian, Ali Bagheri Kani, i cili theksoi nevojën për të ushtruar presion ndaj Izraelit për të ndaluar "gjenocidin" ndaj palestinezëve, transmeton Anadolu.

"Në një bisedë telefonike të iniciuar nga kryeministri dhe ministri i jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ne diskutuam më të fundit në lidhje me krimet e regjimit sionist në Gaza dhe mënyrat për t’i ndaluar ato", tha Kani pas bisedimeve të sotme.

Kani njoftoi se ata diskutuan negociatat në vazhdim në Doha që synojnë arritjen e një armëpushimi në Gaza dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.

"Al thani iu referua takimit të organizuar nga Katari në lidhje me negociatat e armëpushimit, duke përshkruar rezultatet e kësaj faze të bisedimeve si përfundimtare. Theksova nevojën për të vazhduar përpjekjet praktike gjithëpërfshirëse dhe masat diplomatike për të ndaluar gjenocidin sionist në Gaza", tha ai.

Dje më herët, nisën bisedimet vendimtare në kryeqytetin Doha për të arritur një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për një shkëmbim pengjesh dhe një armëpushim në Gaza.

Negociatat përfshijnë drejtorin e CIA-s, William Burns, kryeministrin Al Thani, shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel dhe shefin e Mossad-it, David Barnea.

Hamasi ka refuzuar të marrë pjesë në këto bisedime, duke kërkuar që Tel Avivi t’i përmbahet marrëveshjeve të arritura në muajin korrik, bazuar në një propozim të muajit maj të mbështetur nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili në fillim u mbështet nga Hamasi.

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

Sulmi izraelit që atëherë ka vrarë të paktën 40 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 92.400 të tjerë. Më shumë se 10 muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.