Serdar Bitmez,Hamdi Yıldız
08 Janar 2019•Përditësim: 08 Janar 2019
DOHA (AA) - Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Muhammed bin Abdurrahman Al Thani ka dënuar shkeljet e Izraelit në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, Al Thani ka thënë: "Dënojmë shkeljet që rrisin tensionet në rajonin e Kudsit nën pushtimin e Izraelit".
Al Thani i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t'i japë fund "veprimeve të paligjshme dhe mëkatare kundër xhamisë Al-Aksa".
Ministri izraelit i Bujqësisë, Uri Ariel dhe 104 hebrenj fanatikë së bashku dje në orët e para të mëngjesit në shoqërim të policisë izraelite bastisën xhaminë Al-Aksa.
Hebrenjtë fanatikë në shoqërim të policisë herë pas here në orët e para të mëngjesit ose të pasditës hyjnë në murin rrethues të xhamisë Al-Aksa. Kjo situatë shpeshherë shkakton rritjen e tensioneve dhe përleshje mes palestinezëve dhe policisë izraelite.
Mesxhidi Al-Aksa i cili ndodhet në Kudsin Lindor nën okupim ka cilësinë e kiblesë së parë për muslimanët. Ndërkohë që hebrenjtë kryejnë punime gërmuese me pretendimin se nën kompleksin e xhamisë Aksa ndodhen "mbetjet e Tempullit të profetit Sulejman" mbrojnë idenë e tyre se edhe ata kanë të drejtë për të kryer adhurim në Mesxhidi Aksa.