Betül Yürük
15 Mars 2016•Përditësim: 15 Mars 2016
GJENEVË (AA) - Mësohet se Kombet e Bashkuara (KB) kanë pranuar me kënaqësi vendimin e Rusisë për pakësimin e forcave të saj në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
"Deklarata e presidentit rus Putin në ditën e parë të bisedimeve për Sirinë në Gjenevë është zhvillim i rëndësishëm. Shpresojmë se ky vendim do të ketë efekt pozitiv në zgjidhjen politike të krizës në Siri dhe në përparimin e bisedimeve të Gjenevës në drejtim të sigurimit të tranzicionit politik paqësor në vend", tha i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura.
Dje ishte njoftuar se Putin ka dhënë urdhër për tërheqjen e një pjesë të madhe të forcave ruse nga Siria.
Agjencia e lajmeve ruse TASS, informoi se Putin ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergey Shoygu në lidhje me situatën në Siri.
Sipas kësaj agjencie të lajmeve, presidenti rus në këtë takim i kishte dhënë udhëzim Shoygu-t që duke filluar prej nesër të zbatohet tërheqja e një pjese të madhe të forcave ruse në Siri.
Gjithashtu edhe në njoftimin në ueb faqen zyrtare të Kremlinit, u konfirmua se Putin dhe presidenti sirian Bashar Al-Asad kanë zhvilluar një bisedë telefonike dhe kanë rënë dakord për tërheqjen e forcave ruse nga Siria.