Emre Aytekin
01 Prill 2022•Përditësim: 01 Prill 2022
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi tha se çdo anëtar ka status të barabartë në Grupin G20 i cili përbën 20 ekonomitë më të mëdha të botës dhe se askush nuk mund ta përçajë grupin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Kinës thuhet se sot ministrat e Jashtëm të vendeve të Azisë Juglindore, të Indonezisë, Filipineve, Tajlandës dhe Mianmarit kanë filluar vizitat e tyre në Kinë për periudhën 31 mars - 3 prill.
Ministri Wang u takua me homologen indoneziane Retno Marsudi në qytetin Tunxi në rajonin Anhui.
"Në takim dy palët ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit në kuadër të G20-tës", tha Wang i cili shtoi se Indonezia do të japë mbështetjen e nevojshme për të pritur me sukses Samitin e G20, i cili do të mbahet në Bali në datat 15-16 tetor.
Wang nënvizoi se G20 duhet të fokusohet në koordinimin e politikave makroekonomike dhe të mos bëhet mjet i politikës. "Të gjithë anëtarët kanë status të barabartë dhe askush nuk ka të drejtë të ndajë G20-tën", theksoi Wang.
Fjalët e tij dhanë sinjal se Pekini mund të kundërshtojë përpjekjen e mundshme për përjashtimin e Rusisë nga G20 për shkak të luftës në Ukrainë, në mënyrën e ngjashme me përjashtimin nga G8-ta pas aneksimit të Krimesë.
Grupi G8 i cili tubon tetë ekonomitë më të fuqishme të botës, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 përjashtoi Rusinë dhe në vitet e mëpasshme u emërua si G7.