Fuat Kabakcı
05 Shkurt 2020•Përditësim: 05 Shkurt 2020
Ka arritur në 491 numri i personave të vdekur, ndërsa në 24.324 i të prekurve nga koronavirusi i ri (2019-nCoV) në Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) në Kinë njoftoi se nga epidemia 2019-nCoV kanë humbur jetën 491 persona prej të cilëve 490 në territorin e Kinës dhe 1 person në rajonin administrativ special Hong Kong.
Bashkë me këtë është rritur në 24.324 numri i personave të diagnostikuar me virusin prej të cilëve 3.219 në gjendje të rëndë. Ndërkohë ka arritur në 23.260 numri i personave të cilët dyshohet se janë të prekur nga virusi dhe se nën mbikëqyrje janë vendosur 185.555 persona.
Përveç territorit të Kinës thuhet se 28 persona janë të prekur nga virusi në rajonet administrative speciale të Kinës, prej të cilëve 18 në Hong Kong dhe 10 në Macau.
Në 24 orët e fundit, 65 të vdekur
NHC gjithashtu ka njoftuar se për shkak të koronavirusit në 24 orët e fundit në vend, kanë vdekur 65 persona ndërsa janë konstatuar 3.887 raste të reja të infektimit nga koronavirusi i ri, prej të cilëve 431 në gjendje të rëndë.
Në rajonin Hubei, i cili është epiqendra e koronavirusit, thuhet se 479 persona kanë vdekur ndërsa numri i rasteve të përcaktuara me virus është rritur në 16.678. Qyteti Wuhan në rajonin Hubei është edhe qyteti me numrin më të madh të vdekjeve të cilat kanë arritur në 362, ndërsa numri i rasteve të infektimit në 8.351.
Ndërtesat në Wuhan po shndërrohen në spitale
Për shkak të pamjaftueshmërisë së shtretërve në spitale, në Wuhan 3 ndërtesa prej të cilave një stadium, një qendër ekspozitash janë shndërruar përkohësisht në spitale të cilët do të përdoren për ekzaminimet dhe trajtimin e personave të infektuar me koronavirusin.
Spitalet e përkohshme me një kapacitet gjithsej 3.400 shtretër janë pajisur edhe me tavolina, batanije me ngrohje, shtretër dhe pajisje të ndryshme. Për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve spitalore në qytet theksohet se brenda 10 ditëve u ndërtua një spital me kapacitet 1.000 shtretër
Epidemia e koronavirusit të ri
Lloji i koronavirusit të ri për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan më 12 dhjetor 2019. Komisioni shëndetësor në Wuhan më 31 dhjetor njoftoi se edhe tek 27 persona të tjerë që kanë patur kontakte me tregun e prodhimeve detare Huanan në qytet është vërejtur "sëmundja misterioze" dhe më pas mbylli tregun.
Simptomat e para të virusit nCoV janë temperaturë e lartë, dhimbje fyti, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe diarre, ndërsa në fazën e mëpasshme të avancuar shkakton penumoni dhe pamjaftueshmëri të veshkave dhe në përfundim mund të çojë në vdekje.