Lokman İlhan
04 Prill 2017•Përditësim: 04 Prill 2017
MOCOA (AA) - Presidenti i Kolumbisë Huan Manuel Santos ka njoftuar se është rritur në 273 numri i viktimave që humbën jetën si pasojë e katastrofës së përmbytjeve në Mocoa, raporton Anadolu Agency (AA).
Santos ka shpalosur detajet mbi gjendjen e fundit para përfaqësuesve të mediave, pasi paraprakisht ka zhvilluar mbledhje me zyrtarët në një tryezë krize në qendër të qytetit.
Santos ka theksuar se 193 nga 273 persona që kanë humbur jetën janë identifikuar, ndërkohë që deri më tani 100 trupa të pajetë u janë dorëzuar familjeve.
Sipas tij, nga 262 të plagosur, 70 janë transferuar në spitale jashtë Mocoas, ndërkohë që 27 nga të plagosurit ende janë duke u trajtuar në spitalin brenda qytetit.
Nuk pritet përmbytje e re
Santos është shprehur se nuk është në pritje ndonjë përmbytje e re, duke shtuar se Forcat Ajrore janë duke observuar të gjithë lumenjtë në rajon.
Po ashtu, Santos ka tërhequr vëmendjen se në shkolla janë duke u plotësuar nevojat e strehimit dhe ushqimit dhe se dëshirojnë të mundësojnë që së shpejti këto objekte të fillojnë të përdoren për nxënësit.
Punimet e kërkim-shpëtimit në rajon po vazhdojnë me pjesëmarrjen e ushtrisë, mbrojtjes civile dhe organizatave vullnetare.
Reshjet e fuqishme që kapluan rajonin shkaktuan daljen nga shtrati të lumenjve Mocoa, Mulato dhe Sacoyaco, teksa stuhitë që ndodhën në orët e hershme të ditës së shtunë, shkaktuan shkatërrimin e disa lagjeve në qytetin Mocoa.
Mocoa është kryeqyteti i rajonit administrativ Putumayo që gjendet në kufi me Perunë dhe Ekuadorin, kurse në të jetojnë 45 mijë banorë.