Bota

Komisari i Lartë i OKB-së: SHBA-ja të tërheqë sanksionet ndaj gjyqtarëve të GJNP-së

"Jam thellësisht i shqetësuar nga vendimi i qeverisë amerikane për të vendosur sanksione ndaj 4 gjyqtarëve të GJNP-së", tha komisari i Lartë i OKB-së, Volker Türk

Muhammet İkbal Arslan  | 06.06.2025 - Përdıtësım : 07.06.2025
Komisari i Lartë i OKB-së: SHBA-ja të tërheqë sanksionet ndaj gjyqtarëve të GJNP-së

Gjenevë

Komisari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk reagoi ndaj vendimit të administratës amerikane për të vendosur sanksione ndaj 4 gjyqtarëve në Dhomën e Apelit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila lëshoi urdhër-arreste dhe trajtoi ankesat për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, transmeton Anadolu.

Türk bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me vendimin e administratës amerikane për gjyqtarët e GJNP-së.

"Jam thellësisht i shqetësuar nga vendimi i qeverisë amerikane për të vendosur sanksione ndaj 4 gjyqtarëve të GJNP-së të cilët ishin pjesë e vendimeve në rastet në Afganistan dhe Palestinë. Sulmet ndaj gjyqtarëve në nivel kombëtar ose ndërkombëtar për shkak të kryerjes së detyrave të tyre gjyqësore janë drejtpërdrejt në kundërshtim me respektin për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e barabartë të ligjit, të cilën SHBA-ja e ka mbështetur prej kohësh", tha Türk.

Ai shtoi se sulme të tilla dëmtojnë thellësisht qeverisjen e mirë dhe administrimin e duhur të drejtësisë. "Kërkoj që këto masa të fundit të rishqyrtohen dhe të tërhiqen menjëherë", potencoi Türk.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka njoftuar se katër gjyqtarë të GJNP-së u vendosën në listën e sanksioneve për shkelje të dyshuar të sovranitetit të SHBA-së dhe Izraelit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.