Komuna e Prishtinës strehon 1 mijë qen endacakë, rreth 4 mijë të tjerë mbeten ende rrugëve
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se qentë endacakë kanë qenë kërcënim serioz për qytetarët, ndërsa gjendja ka filluar të përmirësohet

Prishtinë
Komuna e Prishtinës deri më tani ka kastruar, trajtuar dhe strehuar 1 mijë qen endacakë ndërsa ende rreth 4 mijë të tjerë mbeten rrugëve të kryeqytetit, raporton Anadolu.
Për këtë problematikë e cila tashmë është e vjetër për kryeqytetin kosovar, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se është bërë punë e madhe për të zgjidhur problemin i cili rrezikon jetët e qytetarëve prishtinas.
Rama në Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë, ku mori pjesë në procesin e adoptimit të qenit të 1.000-të, tha se qentë endacakë kanë qenë kërcënim serioz për qytetarët, ndërsa gjendja ka filluar të përmirësohet.
"Vetëm vitin e kaluar e dimë që kemi pasur 194 incidente, pra kafshime, prej tyre tre raste kanë qenë fëmijë, derisa, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 44 incidente me qen endacakë, prej të cilave kanë pësuar lëndime dy fëmijë. Është një problem që është dashur të merret me seriozitetin më të madh gjithmonë e për fat të keq në Kosovë është vetëm kryeqyteti i cili e ka marrë këtë çështje me seriozitetin më të madh", theksoi Rama.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t'i bashkëngjitet Komunës së Prishtinës në zgjidhjen e problemit të qenve endacakë për një periudhë kohore më të gjatë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci tha se të gjithë ata qytetarë të Komunës së Prishtinës të cilët paraqiten të adoptojnë një qen, përfitojnë 50 euro në muaj, kosto e cila sipas tij është e barasvlerësuar me koston e mirëmbajtjes së një qeni në strehimore.
Ai tha se Komuna e Prishtinës ka arritur të pakësojë për 1 mijë numrin e qenve endacakë në qytet, por numër edhe më i madh i tyre mbeten rrugëve.
"Kemi trajtuar deri më tani rreth 4 mijë qen kështu që presupozojmë që në të gjitha hapësirat publike dhe ato periferike, numri i tyre llogaritet të jetë 3.500 deri në 4.000 qen endacakë. Ne kemi trajtuar zonën qendër fuqishëm, vërejmë se tani kemi vetëm ndonjë lëvizje tepër të vogël të ndonjë qeni i cili brenda natës migron nga ndonjë lagje tjetër", theksoi Brestovci.
Sipas tij, komuna po kapë 40 deri në 50 qen brenda javës dhe pretendojnë që këtë numër ta rrisin në 100.
Prishtina për një kohë të gjatë vuan nga shumimi i qenve endacakë të cilët kanë rrezikuar dhe kafshuar shumë shpesh qytetarët në qendër, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe nëpër lagje tjera. Qendra për Trajtimin e Qenve Endacakë në periferi të Prishtinës u hap në shtator të vitit 2024, pas ankesave të shumta të qytetarëve për vite me radhë, për gjendjen e sigurisë.