Muhammed Semiz
23 Qershor 2021•Përditësim: 23 Qershor 2021
Në kryeqytetin e Gjermanisë sot mbahet Konferenca e Dytë e Berlinit në të cilën do të iniciohet nisma që synon pajtimin kombëtar dhe bashkimin e ushtrisë në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefja e diplomacisë libiane, Najla Mangoush dje në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme lëshoi njoftimin në të cilin tha se iniciativa do të fokusohet në pikat e udhërrëfyesit të vendosur nga Forumi i Dialogut Politik Libian.
Duke kujtuar se që nga Konferenca e parë e Berlinit mbi Libinë, ekzekutivi është unifikuar, u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi dhe u hap rruga bregdetare, ajo tha se ka një ngadalësim në zbatimin e pikave të tjera të udhërrëfyesit.
Mangoush theksoi se nisma do të përfshinte inicimin e një pajtimi gjithëpërfshirës kombëtar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale më 24 dhjetor.
Nisma po ashtu synon të bashkojë ushtrinë libiane nën një komandë të vetme dhe të aktivizojë një marrëveshje armëpushimi që do të përqendrohet në krijimin e mekanizmave ekzekutivë për të adresuar problemet e sigurisë dhe ekonomike në Libi.
Konferenca e dytë e Berlinit mbi Libinë po mbahet nën kujdesin e OKB-së dhe Gjermanisë ndërsa do të marrë pjesë shefi i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohammed al-Menfi, kryeministri Abdul Hamid Dbeibeh, i dërguari Special i OKB-së në Libi, Jan Kubis dhe ministrat e Jashtëm të vendeve të përfshira në procesin e paqes në Libi.
Konferenca synon të vlerësojë përparimin e bërë në vendosjen e paqes në Libinë e shkatërruar nga konfliktet dhe të intensifikojë përpjekjet që synojnë ruajtjen e sigurisë në vend.
Konferenca pritet të theksojë nevojën për të mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 24 dhjetor dhe tërheqjen e forcave të huaja dhe mercenarëve nga Libia.
Pjesëmarrësit do të përsërisin thirrjen për respektimin e embargos së armëve të vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbi Libinë, ndërsa pritet një vendim mbi hapat drejt bashkimit të forcave të sigurisë në vend.
Berlini priti gjithashtu konferencën e parë ndërkombëtare mbi krizën libiane më 19 janar të këtij viti.
Të dielën, Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë njoftoi se do të përfaqësohej në Konferencën e Dytë të Berlinit nga kryeministri Dbeibeh dhe ministrja Mangoush.