Bota

Konferenca e Sigurisë në Mynih vazhdon në ditën e dytë me bisedime të nivelit të lartë

Dita nisi me një fjalim të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që do të pasohet nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të flasë mbi perspektivat për të ardhmen e kombit të tij në mes të luftës në vazhdim

Burak Bir  | 15.02.2025 - Përdıtësım : 16.02.2025
Konferenca e Sigurisë në Mynih vazhdon në ditën e dytë me bisedime të nivelit të lartë

Mynih

Konferenca e Sigurisë e Mynihut sot vazhdon në ditën e dytë me një listë të plotë fjalimesh nga liderët botëror dhe bisedimet e nivelit të lartë mbi sfidat e sigurisë në mbarë botën, veçanërisht lidhur me luftën në Ukrainë, raporton Anadolu.

Dita nisi me një fjalim të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që do të pasohet nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të flasë mbi perspektivat për të ardhmen e kombit të tij në mes të luftës në vazhdim, të cilën Rusia e nisi më 24 shkurt të vitit 2022.

Gjatë ditës së sotme, konferenca e Mynihut do të ketë një gamë të gjerë fjalimesh, panele diskutimesh dhe takimesh midis politikanëve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidenti çek, Petr Pavel, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, do të marrin pjesë në një diskutim mbi mbështetjen evropiane për Ukrainën.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjithashtu do të flasë në një panel rreth NATO-s, SHBA-së dhe sigurisë kibernetike.

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, do të flasë në një panel mbi “Perspektivat për tranzicionin e Sirisë”, së bashku me homologun e tij sirian, Asaad Hassan Al-Shaibani dhe homologun saudit, Faisal bin Farhan Al-Saud.

Në këtë mbledhje vjetore do të flasin edhe krerët e organizatave ndërkombëtare si Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Në ditën e hapjes së Konferencës së Sigurisë në Mynih, liderët politik mbajtën fjalime dhe zhvilluan bisedime në margjinat e konferencës.

Diskutimet e nivelit të lartë rreth luftës në Ukrainë dhe deklaratat mbi negociatat e mundshme të paqes, si dhe komentet e zv/presidentit të SHBA-së për Evropën dominuan në ditën e parë.

Konferenca vjetore tre-ditore filloi dje në Mynih, duke pritur më shumë se 50 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe 150 ministra qeveritarë nga e gjithë bota.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.