Kongo, protesta kundër grupit rebel dhe "ndërhyrjes së Ruandës"
Protestuesit gjithashtu i vunë flakën disa pjesëve të ambasadës franceze në Kinshasa, kryeqytetin e Kongos
Yaounde
Në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos (RDK), u zhvilluan protesta masive kundër grupit rebel Lëvizjes 23 Marsi (M23) dhe Ruandës, raporton Anadolu.
Protestuesit u mblodhën në pika të ndryshme në qytetin Kinshasa për të dënuar rrethimin që M23 ia ka bërë qytetit Goma, si dhe për të protestuar ndaj Ruandës, për të cilën pretendojnë se ka mbështetur rebelët.
Protestuesit brohoritën me slogane si "Jo M23, fund ndërhyrjes së Ruandës" dhe "Respektoni sovranitetin tonë", ndërsa i bënë thirrje qeverisë të garantojë sigurinë kombëtare dhe të mbrojë integritetin territorial të vendit.
Protestuesit gjithashtu i vunë flakën disa pjesëve të ambasadës franceze në Kinshasa.
Ndërkohë që forcat e sigurisë po marrin masa intensive për të garantuar sigurinë gjatë protestave, demonstratat vazhdojnë në shumë pjesë të kryeqytetit.
- Konfliktet në RDK
Për shkak të konflikteve të dhunshme që vazhdojnë mes grupit M23 dhe forcave të sigurisë, që nga fillimi i vitit e deri më tani janë zhvendosur mbi 400 mijë njerëz.
Pasi mori kontrollin e shumë fshatrave dhe qyteteve në rajon, M23 së fundi rrethoi qytetin Goma, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin për qytetin i cili ka një popullsi prej rreth 1 milion banorësh.
Kombet e Bashkuara dhe Republika Demokratike e Kongos akuzojnë Ruandën për mbështetjen e grupit M23, ndërsa Ruanda i mohon pretendimet.
Sulmet kanë shkaktuar tensione diplomatike midis Kongos dhe Ruandës. Më 26 janar Republika Demokratike e Kongos tërhoqi të gjithë diplomatët e saj nga Ruanda dhe ndërpreu plotësisht marrëdhëniet mes dy vendeve.
Grupi M23, i njohur gjithashtu si "Ushtria Revolucionare e Kongos", doli në skenë me prishjen e marrëveshjes së paqes të nënshkruar më 23 mars 2009. Ky grup përbëhet nga fisi Tutsi, pjesëtar i të cilit është edhe presidenti i Ruandës, Paul Kagame.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.