Koreja e Jugut shqyrton ofrimin e ndihmës më të madhe për Ukrainën pas mbështetjes së Veriut për Rusinë
"Nëse ata të dy nuk e ndalin aventurën e tyre të rrezikshme ushtarake, ne jemi të përgatitur të zbatojmë masat e duhura efektive, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën", tha presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol
Ankara
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha se Koreja e Jugut mund të konsiderojë ofrimin e mbështetjes më të madhe për Ukrainën në përgjigje të vendosjes së trupave të Koresë së Veriut në Rusi, transmeton Anadolu.
Duke folur për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, Yoon Suk-yeol tha se Pheniani i ka ofruar Moskës edhe armatim.
"Nëse ata të dy nuk e ndalin aventurën e tyre të rrezikshme ushtarake, ne jemi të përgatitur të zbatojmë masat e duhura efektive, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën, në bashkëpunim me aleatët tanë dhe vendet me të njëjtin mendim", citohet të ketë thënë Yoon.
Muajin e kaluar, Yoon tha se vendi i tij mund të konsiderojë ofrimin e armëve për Ukrainën "në varësi të shtrirjes së bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut".
Dje, agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut, Shërbimi Informativ Kombëtar, pretendoi se ushtarët e Koresë së Veriut ishin zhvendosur në rajonin e vijës së parë të Kurskit, Rusi, për të luftuar forcat ukrainase atje.
Të martën, një zyrtar ukrainas pohoi gjithashtu se 50 mijë trupa ruse dhe koreano-veriore ishin vendosur në Kursk për të luftuar forcat ukrainase, por Pheniani nuk i ka konfirmuar pretendimet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.