Islam Uddin
10 Tetor 2022•Përditësim: 10 Tetor 2022
Koreja e Veriut njoftoi se testet e fundit të raketave ishin pjesë e stërvitjeve "taktike bërthamore" dyjavore për të simuluar sulmimin e Koresë së Jugut me armë bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave shtetërore, stërvitjet dhe lançimet e raketave ishin reagim ndaj stërvitjeve të përbashkëta të fundit nga SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia.
“Njësitë e Ushtrisë Popullore Koreane (KPA) për operimin e armëve bërthamore taktike organizuan stërvitje ushtarake nga 25 shtatori deri më 9 tetor për të kontrolluar dhe vlerësuar aftësinë parandaluese të luftës dhe kundërsulmit bërthamor të vendit, që bëhet një paralajmërim i ashpër për armiqtë”, tha Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA).
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjithashtu vëzhgoi stërvitjet dhe vlerësoi forcat e tij luftarake bërthamore për mbajtjen e një misioni të rëndësishëm.
"Stërvitja kishte për qëllim konfirmimin e urdhrit të nxjerrjes dhe transportimit të kokave bërthamore taktike dhe menaxhimit të tyre në një mënyrë të shpejtë dhe të sigurt në kohën e operacionit", tha KCNA.
Gjatë stërvitjeve dyjavore, ushtria e Phenianit gjuajti raketa balistike taktike mbi objektivin e caktuar në ajrin e Detit Lindor të Koresë për të kontrolluar besueshmërinë e raketës.
Pheniani pohoi gjithashtu se llojet e ndryshme të raketave balistike taktike goditën me sukses objektivat midis 29 shtatorit dhe 1 tetorit.
"Në stërvitjen e lançimit të raketave balistike që simulon ngarkimin e kokave bërthamore taktike, e cila u organizua më 28 shtator me qëllim të neutralizimit të aeroporteve në zonat e operacionit të Koresë së Jugut, u vërtetua qëndrueshmëria e sistemit të përgjithshëm në lidhje me funksionimin e kokave bërthamore”, thuhet në mediat zyrtare.
Koreja e Veriut konfirmoi gjithashtu lëshimin e një rakete balistike të tipit të ri tokë-tokë me rreze të mesme veprimi që fluturoi mbi Japoni më 4 tetor dhe tha se ishte një paralajmërim i qartë për të goditur objektivat në zonën e Paqësorit prej 4.500 kilometrash nëpër ishujt japonezë.
Koreja e Veriut të martën lëshoi një raketë e cila fluturoi mbi Japoni dhe ra në Detin Lindor. Kjo shënoi herën e parë që Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë balistike mbi arkipelagun japonez në pesë vjet.
Pheniani paralajmëroi gjithashtu se forcat e tij janë plotësisht të gatshme për të goditur dhe zhdukur objektet e vendosura në vendet e synuara në kohën e caktuar.
Ndërkohë, udhëheqësi i Koresë së Veriut kundërshtoi përsëri çdo dialog me SHBA-në dhe Korenë e Jugut.
“Armiqtë ende flasin për dialog dhe negociata ndërsa paraqesin kërcënime ushtarake për ne, por ne nuk kemi për çfarë të flasim me armiqtë dhe nuk ndiejmë nevojë ta bëjmë këtë”, ka thënë Kim.
"Mbi të gjitha, ne duhet t'u dërgojmë një sinjal më të qartë armiqve që përshkallëzojnë situatën rajonale duke përfshirë forcat e mëdha të armatosura në çdo kohë me më shumë vullnet dhe veprim më të fuqishëm dhe të vendosur," ka shtuar ai.
Kim akuzoi gjithashtu SHBA-në dhe Korenë e Jugut për përshkallëzimin e tensionit në rajon dhe tha se kjo vetëm do të shkaktojë një reagim më të madh të Koresë së Veriut.