Bota

Kosovë, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti pritën në takim kryediplomatin turk, Fidan

Presidentja Osmani në njoftimin nëpërmjet rrjeteve sociale për takimin me ministrin Fidan, shkroi në gjuhën turke “I nderuari ministër Hakan Fidan, mirë se erdhe në Kosovë”

Can Efesoy  | 06.09.2024 - Përdıtësım : 08.09.2024
Kosovë, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti pritën në takim kryediplomatin turk, Fidan Foto: Murat Gök / AA

Ankara

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pritur në takime të ndara Ministrin e Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani në njoftimin nëpërmjet rrjeteve sociale për takimin me ministrin Fidan, shkroi në gjuhën turke “I nderuari ministër Hakan Fidan, mirë se erdhe në Kosovë”.

Ajo bëri të ditur se e ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Türkiyes për miqësinë dhe mbështetjen e shtetit turk për Kosovën, në çdo etapë dhe çdo proces.

“Me ministrin diskutuam për potencialin e bashkëpunimit, përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. Forcimi i partneritetit midis Kosovës dhe Türkiyes mbetet përkushtim i përbashkët!”, shkroi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e dytë gjatë këtij viti me ministrin Fidan, pas atij në Ankara në muajin maj, tha se vazhduan diskutimet mbi marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës dhe Türkiyes.

Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se Kurti dhe Fidan diskutuan për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.

“Mirënjohës për vizitën dhe bashkëpunimin e afërt të tij, kryeministri i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, për rolin kontribuues të Türkiyes për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti dhe Fidan u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik.

Gjatë ditës, ministri Fidan, është pritur në takim edhe nga homologia kosovare Donika Gërvalla, me të cilën diskutuan një sërë çështjesh, nga siguria, bashkëpunimi ekonomik dhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.