Dmitri Chirciu
15 Mars 2023•Përditësim: 16 Mars 2023
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së janë në "pikën më të ulët", transmeton Anadolu.
Për gazetarët në Moskë, Peskov tha se sot presidenti rus Vladimir Putin do të takohet në Moskë me presidentin e regjimit në Siri, Bashar Al-Asad, ku dhe ndau informacion se në takim do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, çështja e Sirisë dhe marrëdhëniet mes Türkiye-s dhe Sirisë.
Ai theksoi se fillimisht do të zhvillohen negociata mes delegacioneve ruse dhe siriane dhe se më pas Putin do të takohet ballë për ballë me Asadin.
"Nuk ka pasur kontakt me SHBA-në lidhur me dronin amerikan në Detin e Zi"
Duke folur për incidentin lidhur me mjetin ajror pa pilot MQ-9 të SHBA-së në Detin e Zi, Peskov tha Ministria ruse e Mbrojtjes ka dhënë deklaratën e nevojshme lidhur me ngjarjen dhe se për këtë çështje ka informuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Peskov tha se mes Rusisë dhe SHBA-së nuk ka pasur kontakte në nivelin më të lartë lidhur me incidentin. "Marrëdhëniet tona janë në pikën më të ulët. Sigurisht që të dy vendet do të mbrojnë interesat e tyre. Por, Rusia nuk e ka refuzuar dialogun konstruktiv, nuk e refuzon as tani", tha ai.
Ngjarja
Komanda e Forcave Evropiane të SHBA-së (EUCOM) dje njoftoi se dy avionë rusë Su-27 provokuan në Detin e Zi dronin amerikan MQ-9 dhe se droni MQ-9 u rrëzua në ujërat ndërkombëtare pasi u përplas nga një prej avionëve.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se droni MQ-9 i SHBA-së ka shkelur hapësirën e situatës së përkohshme e cila për shkak të "operacionit special ushtarak" në Ukrainë u është njoftuar të gjithë përdoruesve të hapësirës ajrore në përputhje me standardet ndërkombëtare.