Kreu i NATO-s, Rutte: Trupat e Koresë së Veriut janë vendosur në Rusi
Mark Rutte tha se "vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Kursk është gjithashtu një shenjë e dëshpërimit në rritje të Putinit"
Ankara
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se trupat e Koresë së Veriut janë vendosur në Rusi, duke bërë thirrje që "të ndërpriten menjëherë këto veprime", raporton Anadolu.
Kreu i NATO-s tha se aleatët u informuan nga një delegacion nga Koreja e Jugut "për përfshirjen në rritje të Koresë së Veriut në agresionin e paligjshëm luftarak të Rusisë kundër Ukrainës".
Pas takimit të mbajtur me përfaqësues të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, Rutte tha: "Unë mund të konfirmoj se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se njësitë ushtarake të Koresë së Veriut janë vendosur në rajonin e Kurskut".
Ky veprim, siç u shpreh Rutte, përfaqëson një "përshkallëzim të rëndësishëm" në përfshirjen e vazhdueshme të Koresë së Veriut në luftën e Rusisë dhe "një tjetër shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së".
Ai tha se ky është "një zgjerim i rrezikshëm i luftës së Rusisë" dhe i bëri thirrje Rusisë dhe Koresë së Veriut "të ndërpresin menjëherë këto veprime".
Rutte tha se "vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Kursk është gjithashtu një shenjë e dëshpërimit në rritje të Putinit", duke shtuar se presidenti rus Vladimir Putin po kërkonte "mbështetje të huaj" kundër "guximit dhe qëndrueshmërisë" së Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën dhe tha se diskutimet po vazhdojnë mbi "nevojën për të forcuar më tej mbështetjen ushtarake për Ukrainën".
Gjatë një konference të përbashkët për media me Rutte në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pretendoi se 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut mund t'u bashkohen forcave ruse që luftojnë në Ukrainë.
Ai tha se sipas inteligjencës ukrainase, ka informacione se Koreja e Veriut dërgoi personel taktik dhe oficerë në territoret e okupuara të Ukrainës.
Koreja e Jugut kishte pretenduar më herët se Pheniani dërgoi 1.500 ushtarë në Rusi më 8-13 tetor për të mbështetur "operacionin special ushtarak" të Moskës në Ukrainë që filloi në shkurt 2022.