Hacer Başer
19 Janar 2017•Përditësim: 20 Janar 2017
GAZA (AA) - Për shkak të krizës së energjisë elektrike dhe problemeve me furnizimin e gazit, palestinezët nevojat e tyre për prodhimin e bukës i përballojnë me rikthimin në furrat e gurit, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth gjysma e popullsisë në këtë vend është e papunë, ndërsa mungesa e energjisë elektrike dhe gazit e bën jetën akoma më të vështirë në Gaza. Mungesa e tyre është bërë problem edhe për gatimet në shtëpi. Ata të cilët kanë mundësi financiare blejnë gaz në "tregun e zi" me çmime të larta ose dërgojnë gatimet e tyre në furrat e gurit. Ndërkohë një pjesë e mirë e popullsisë që nuk kanë mundësi financiare kanë nisur të përballojnë këtë problem përmes ushqimeve të konservuara.
Neim Shurrab, ka rihapur furrën e tij prej guri pas 40 vitesh. Me mundësitë e tij ai mundohet të përballojë jetesën në këtë krizë që ka kapluar vendin.
"Këtu ka krizë të energjisë elektrike dhe mungesë të gazit. Për këtë arsye vendosa të hap furrën e gurit e cila më ka mbetur nga babai dhe që kisha një kohë të gjatë që nuk e përdorja", thotë Shurrab. Ai shton se shumë klientë të tij sjellin edhe gatimet e shtëpisë për ti pjekur në furrë dhe se kjo është një barrë e madhe për qytetarët e Gazës të cilët janë në vështirësi ekonomike.
Shurrab në vijim thotë se furra krahas ndihmës për qytetarët është kthyer në një derë të ardhurash edhe për të, si dhe për punonjësit që ndodhen aty. Ai tregon se fitimi i tij ditor është rreth 25 dollarë, dhe se klientët e tij janë çdo ditë e më shumë në rritje për shkak të krizës që ka vendi. Ndërkohë Shurrab vë në dukje se këta qytetarë kanë kaluar shumë kriza të ngjashme në të shkuarën.
Një klient i kësaj furre, 29 vjeçari Muhammed Avd thotë: "Për shkak të krizës me energjinë elektrike dhe mungesës së gazit jemi të detyruar të vazhdojmë të sjellim gatimet në furrë. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër."
Avd thotë gjithashtu se furra me dru nuk i përballon kërkesat dhe kërkon një zgjidhje të problemit të energjisë elektrike dhe gazit.
Turqia dhe Katari ofrojnë ndihmë
Turqia dhe Katari janë dy vende të cilat deklaruan që do të ofrojnë ndihmë për popullin e Gazës. Në këtë kuadër Katari deklaroi se ka nisur një ndihmë prej 12 milionë dollarësh për lëndën djegëse të centralit elektrik që ndodhet në Gaza. Ky vend deklaroi se edhe gjeneratori shtesë në këtë central nisi punën më 16 janar.
Institucioni i Energjisë Elektrike në Gaza ditën premte deklaroi se Turqia do të dërgojë në zonë 15 milionë litra lëndë djegëse për centralin elektrik.
Rritja e taksave ndaj institucioneve të energjisë dhe problemet në rrjetin elektrik të Egjiptit që furnizon këtë rajon ka bërë që kriza e energjisë elektrike në Gaza të rritet. Ndërprerjet e shpeshta dhe të gjata të energjisë elektrike në këtë vend iu bashkohen mundimeve të shkaktuara nga embargo e Izraelit, ku prej vitesh mban të rrethuar Gazën.