Melike Pala
23 shtator 2026•Përditësim: 23 shtator 2026
Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot ka kritikuar fjalimin vjetor të presidentit amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke thënë se fjalimi dukej i fokusuar kryesisht në politikën e brendshme të SHBA-së dhe jo në çështjet ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
"Trump duhet ta ketë gabuar takimin, pasi ai kryesisht dha një mesazh që lavdëronte politikën e tij të brendshme", tha Prevot për agjencinë e lajmeve Belga të martën në Nju Jork.
Prevot sugjeroi se komentet e Trumpit të së martës duhet të shihen në kontekstin e zgjedhjeve të ndërmjetme të 3 nëntorit në SHBA, duke thënë se presidenti natyrisht do të kërkonte të promovonte vizionin e tij politik përpara votimit.
Kryediplomati belg kritikoi gjithashtu qëndrimet e Trumpit për ndryshimet klimatike, migracionin dhe institucionet gjyqësore ndërkombëtare të ngarkuara me trajtimin e mosndëshkimit për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
"Të gjitha këto janë tema për të cilat botëkuptimi i tij është diametralisht i kundërt me tonin", tha Prevot.
Duke folur për transmetuesin belg VRT pas fjalimit të Trumpit, Prevot theksoi rëndësinë e ligjit ndërkombëtar për Belgjikën. "Ne nuk jemi fuqi ushtarake apo financiare. Prandaj, mbrojtja e prosperitetit tonë varet nga ligji ndërkombëtar", tha ai.
Prevot shtoi se nuk mjafton që rregullat ndërkombëtare të ekzistojnë, por se ato gjithashtu duhet të zbatohen. "Fuqitë e mëdha nuk duhet të jenë njëkohësisht shkelës edhe zbatues", tha ai.
Ai vuri në pikëpyetje fuqinë aktuale të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht aftësinë e saj për të marrë vendime përmes Këshillit të Sigurimit. "Për momentin, nuk jam i bindur se OKB-ja është ende super e fortë", tha ai duke shtuar se vendimmarrja në Këshillin e Sigurimit është bërë më e vështirë.
Prevot tha se emërimi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së do të ishte veçanërisht i rëndësishëm, duke argumentuar se zyrtari duhet të jetë në gjendje të forcojë rolin e organizatës.
Pasardhësi i Sekretarit të Përgjithshëm aktual të OKB-së, Antonio Gutteres do të marrë detyrën në vetëm pak muaj, më 1 janar 2027.