Bota

Kryediplomati i BE-së: OKB-ja sulmohet në "të gjitha frontet" nga qeveria izraelite

"OKB-ja po sulmohet në të gjitha frontet nga qeveria izraelite, shefi i OKB-së po konsiderohet si anti-semitik, UNRWA-ja po konsiderohet një organizatë terroriste", tha Borrell

Nur Asena Ertürk  | 17.10.2024 - Përdıtësım : 17.10.2024
Kryediplomati i BE-së: OKB-ja sulmohet në "të gjitha frontet" nga qeveria izraelite

Ankara

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell ka deklaruar se Kombet e Bashkuara (OKB) po "sulmohen në të gjitha frontet nga qeveria izraelite", raporton Anadolu.

"Shpresoj se këshilli do të dënojë fuqishëm sulmet e forcave izraelite kundër UNIFIL-it", u tha gazetarëve Borrell në prag të takimit të Këshillit të BE-së në Bruksel.

Izraeli ka plagosur anëtarët e misionit të OKB-së në Liban (UNIFIL) në sulmet e tij, duke tërhequr kritika ndërkombëtare pasi sulmet e qëllimshme ndaj paqeruajtësve janë kundër ligjit ndërkombëtar.

"OKB-ja po sulmohet në të gjitha frontet nga qeveria izraelite, shefi i OKB-së (Antonio) Guterres po konsiderohet si anti-semitik, UNRWA-ja po konsiderohet një organizatë terroriste dhe po ndalohet brenda territorit izraelit dhe i gjithë sistemi i OKB-së po sulmohet", tha Borrell.

Në fillim të kësaj jave, shefi i politikës së jashtme të BE-së kritikoi thirrjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, drejtuar shefit të OKB-së për të tërhequr trupat e misionit UNIFIL.

UNIFIL u krijua në mars të vitit 1978 për të konfirmuar tërheqjen nga Libani dhe për të ndihmuar qeverinë libaneze në rivendosjen e autoritetit në zonë. Me kalimin e viteve, mandati i misionit është zgjeruar, veçanërisht pas luftës së Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006, me qëllim për të monitoruar armëpushimet dhe për të lehtësuar ndihmën humanitare.

Në muajin gusht, mandati i UNIFIL-it u rinovua për herë të fundit unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Nga ana tjetër, UNRWA-ja është penguar të kryejë punën e saj që nga janari i vitit 2024, kur Izraeli akuzoi 12 nga mijëra punonjësit e saj në Gaza se janë përfshirë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.

Mes një hetimi të pretendimeve, të paktën 16 vende, përfshirë SHBA-në, ndaluan ose pezulluan fondet për agjencinë dhe puna e saj e ndihmës për popullsinë e goditur nga uria në Gaza ka ngecur. Por, shumica e donatorëve kryesor rifilluan ndihmën pasi një rishqyrtim i pavarur i UNRWA-së zbuloi se Izraeli nuk kishte ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.

UNRWA-ja u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më shumë se 70 vjet më parë për të ndihmuar palestinezët që u zhvendosën me forcë nga tokat e tyre.

Që nga 23 shtatori, Izraeli në mënyrë dramatike e përshkallëzoi fushatën masive të bombardimeve në të gjithë Libanin kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.437 njerëz, duke plagosur mbi 4.123 të tjerë, si dhe duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 1.34 milion njerëzve.

Fushata ajrore është një përshkallëzim i një viti të plotë të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, ku të paktën 42.400 palestinezë janë vrarë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Më 1 tetor, Izraeli filloi gjithashtu pushtimin tokësor në Liban.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.