Bota

Kryediplomati kinez: Gaza është e palestinezëve

"Gaza është e palestinezëve, është pjesë integrale e tokave palestineze. Ndryshimi i statusit të Gazës me forcë nuk do të sjellë paqe, por vetëm kaos", tha ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi

Emre Aytekin  | 07.03.2025 - Përdıtësım : 07.03.2025
Kryediplomati kinez: Gaza është e palestinezëve

Pekin

Ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi, duke kundërshtuar planin e presidentit amerikan Donald Trump për të "marrë nën kontroll" Rripin e Gazës dhe për të zhvendosur popullsinë e saj palestineze në vende të tjera të rajonit, tha se "Gaza është e palestinezëve", raporton Anadolu.

Ministri Wang mbajti një konferencë për media të titulluar "Politika e Jashtme e Kinës dhe Marrëdhëniet me Jashtë" në kryeqytetin Pekin me rastin e seancës plenare vjetore të Kongresit Kombëtar Popullor të Kinës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të Anadolus, lidhur me rolin e Kinës në Lindjen e Mesme dhe planin e Trumpit për Gazën, Wang tha: "Gaza është e palestinezëve, është pjesë integrale e tokave palestineze. Ndryshimi i statusit të Gazës me forcë nuk do të sjellë paqe, por vetëm kaos".

Ai tha se vendi i tij mbështet planin të udhëhequr nga Egjipti dhe vendet e tjera arabe për sigurimin e paqes në Gaza. Duke e kritikuar SHBA-në pa ia përmend emrin, Wang tha: "Nëse vendi i madh interesohet vërtet për popullin e Gazës, ai duhet të promovojë paqen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, të rrisë ndihmën humanitare dhe të kontribuojë në rindërtimin e Gazës, duke respektuar parimin se 'Palestina duhet të udhëhiqet nga palestinezët'".

Më tej duke theksuar se pa paqe në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet stabilitet në botë, Wang vazhdoi më tej:

"Çështja palestineze ka qenë gjithmonë në qendër të problemit të Lindjes së Mesme. Konflikti izraelito-palestinez po përsëritet vazhdimisht sepse është realizuar vetëm gjysma e zgjidhjes me dy shtete. Shteti i Izraelit ekziston për një kohë të gjatë, por Shteti i Palestinës është ende i paarritshëm. Komuniteti ndërkombëtar duhet të fokusohet më shumë në zgjidhjen me dy shtete në periudhën e ardhshme dhe të ofrojë më shumë mbështetje për shtetin e pavarur të Palestinës. Vetëm atëherë Palestina dhe Izraeli mund të ekzistojnë së bashku vërtet në paqe dhe popujt arabë dhe hebrenj të jetojnë së bashku në miqësi të qëndrueshme".


- Thirrje palëve palestineze për unitet

Kryediplomati kinez u bëri thirrje palëve palestineze që të arrijnë unitetin në përputhje me deklaratën e vullnetit në Deklaratën e Pekinit, duke theksuar se të gjitha palët në Lindjen e Mesme duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe të mbështesin shtetin e Palestinës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërtojë konsensus për të promovuar paqen midis Izraelit dhe Palestinës.

Ai tregoi se Kina është partneri strategjik i vendeve të Lindjes së Mesme, si dhe miku i sinqertë i popujve arabë, duke shtuar se do të shfaqin përpjekje për paqe, drejtësi dhe zhvillim në Lindje e Mesme. Ai gjithashtu shtoi se do të mbështesin vendet e rajonit që të marrin në duart e tyre fatin e tyre dhe të realizojnë rrugët e tyre të zhvillimit dhe ëndrrat e tyre për paqe dhe ringjallje.


- Plani i Trumpit për Gazën

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të cilin e priti në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se "SHBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës".

Ai tha se Gaza tashmë ishte një zonë e shkatërrimit të plotë. Trump mbrojti idenë se do të ishte shumë më mirë për palestinezët në Gaza të shkonin në vendbanime të reja që do të ndërtoheshin në vendet fqinje, veçanërisht në Egjipt dhe Jordani.

Trump pretendon se palestinezët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largohen nga Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın