Kryediplomati turk Fidan: Paqja nuk mund të jetë e përhershme nëse nuk mbështetet me zhvillim ekonomik
"Paqja është jashtëzakonisht e brishtë në Siri, Gaza dhe në shumë pjesë të tjera të botës. Rimëkëmbja ekonomike dhe nismat e zhvillimit për këto rajone priren të jenë jetëshkurtër nëse nuk ofrojmë perspektiva të vërteta", tha Fidan

Istanbul
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se paqja nuk mund të jetë e përhershme për sa kohë që ajo nuk mbështetet nga zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia dhe se paqja është jashtëzakonisht e brishtë në Siri, Gaza dhe në shumë pjesë të tjera të botës, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve të marra nga burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministri Fidan iu drejtua pjesëmarrësve në sesionin e titulluar "Objektivat e G20-tës në 2025: Vlerësimi i Presidencës së G20-tës të Republikës së Afrikës së Jugut, daljet e nivelit të lartë dhe kontabiliteti i G20-tës", i mbajtur në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të G20-tës.
Duke theksuar se G20-ta "duhet të vazhdojë të jetë forumi me prioritet kryesor" për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, Fidan theksoi se një sërë hapash duhet të ndërmerren me vendosmëri të ripërtërirë për të ruajtur fleksibilitetin dhe rëndësinë e G20-tës.
Fidan tha se këta hapa janë tregimi i "përpjekjes për një sistem qeverisjeje globale më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, veçanërisht në lidhje me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare" dhe "rritja e pjesëmarrjes së ekonomive në zhvillim dhe aktorëve rajonalë në proceset vendimmarrëse".
Duke tërhequr vëmendjen edhe për rëndësinë e forcimit të "bashkëpunimit midis G20-tës dhe organizatave rajonale si Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI), Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe Bashkimi Afrikan", Fidan tha se midis këtyre hapave, shembujt kryesor të këtij vizioni janë "inkurajimi i lidhjes përmes korridoreve ekonomike rajonale, veçanërisht në Azinë Qendrore, Kaukaz dhe Lindjes së Mesme, Korridori i Mesëm Trans-Kaspik dhe Projekti Rruga e Zhvillimit".
- "Paqja në Siri, Gaza dhe në shumë pjesë të tjera të botës është jashtëzakonisht e brishtë"
Fidan theksoi nevojën për të promovuar ndarjen e barabartë të barrës në trajtimin e krizave të migracionit dhe refugjatëve, mbështetjen e vendeve pritëse të refugjatëve me korniza të qëndrueshme dhe koordinimin më të mirë në përpjekjet globale për trajtimin e sigurisë ushqimore, inflacionit dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit.
"Paqja nuk mund të jetë e përhershme për sa kohë që ajo nuk mbështetet nga zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia. Paqja është jashtëzakonisht e brishtë në Siri, Gaza dhe në shumë pjesë të tjera të botës. Rimëkëmbja ekonomike dhe nismat e zhvillimit për këto rajone priren të jenë jetëshkurtër nëse nuk ofrojmë perspektiva të vërteta", tha Fidan.
Ministri Fidan tha se G20-ta mund të jetë më efektive në formësimin e një rendi më të qëndrueshëm global duke u vetëndërgjegjësuar për lidhjen midis gjeoekonomisë dhe gjeopolitikës. Ai më tej theksoi se kanalet e diplomacisë ekonomike mund të përdoren për të ndërtuar ura midis ndarjeve gjeopolitike dhe për të kapërcyer këto ndarje.
"Në këtë kontekst, duhet të inkurajohet rritja e rolit të G20-tës si një balancues gjeoekonomik. Si Türkiye ne jemi gati të kontribuojmë në këtë vizion", deklaroi Fidan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.