Kryeministri britanik për rifillimin e sulmeve izraelite në Gaza: Gjë e gabuar, sipas mendimit tim
“Ne duhet t’i rikthehemi një armëpushimi. Ne duhet të fusim ndihmën brenda. Ne duhet t’i nxjerrim pengjet”, theksoi Starmer

Londër
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se rifillimi i sulmeve izraelite në Gaza është e “gabuar” dhe pushtimin e tokës palestineze nga Izraeli e ka quajtur “të paligjshme”, transmeton Anadolu.
“Mendoj se pushtimi është i paligjshëm, ne e kemi thënë këtë, kjo ka qenë një politikë e kahershme e qeverisë”, tha Starmer në Komisionin Parlamentar të Ndërlidhjes, në përgjigje të pyetjeve të 13 kryetarëve të komisioneve të përzgjedhura.
Ai theksoi se nuk ka pasur mjaftueshëm hyrje të ndihmave në Gaza për një kohë shumë të gjatë, duke theksuar se “rifillimi i armiqësive është gjë e gabuar, sipas mendimit tim”.
“Ne duhet t’i rikthehemi një armëpushimi. Ne duhet të fusim ndihmën brenda. Ne duhet t’i nxjerrim pengjet”, theksoi Starmer.
Më tej, ai tha se është e nevojshme të “vendoset këmba në derë” për një proces drejt zgjidhjes me dy shtete, të cilën ai e quajti “mënyra e vetme për të garantuar paqen afatgjate”.
Që nga tetori i vitit 2023, si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza janë vrarë të paktën 50.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur m shumë se 115.680 të tjerë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.