Ahmad Adil
11 shtator 2026•Përditësim: 11 shtator 2026
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi pret diskutime "pozitive dhe kuptimplota" në Samitin e BRICS-it, i cili do të mbahet gjatë fundjavës në kryeqytetin indian New Delhi, transmeton Anadolu.
BRICS, fillimisht i njohur si grupimi i Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, është zgjeruar duke përfshirë edhe disa vende të tjera. Modi në një postim në rrjetin social amerikan X tha se gjatë ditëve të ardhshme, liderë nga e gjithë bota do të mblidhen për Samitin e BRICS-it.
"Jam plotësisht i bindur se do të ketë diskutime pozitive dhe kuptimplota për çështje të ndryshme, me një dëshirë të përbashkët për mirëqenien globale", tha Modi. Deklaratat e tij vijnë teksa New Delhi pret Samitin e bllokut BRICS mes luftërave të vazhdueshme mes Rusisë dhe Ukrainës si dhe mes SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian dhe presidenti rus, Vladimir Putin, janë ndër liderët që mbërritën sot në kryeqytetin indian për të marrë pjesë në samit. Në samit pritet të marrin pjesë 26 liderë dhe personalitete të larta, përfshirë presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, kryeministrin malajzian, Anwar Ibrahim dhe ministrin saudit të Punëve të Jashtme, Faisal bin Farhan.
Anëtarësia e zgjeruar e BRICS-it përfshin vendet themeluese, Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, si dhe anëtarët më të rinj, Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Grupi ka gjithashtu vende partnere, përfshirë Bjellorusinë, Bolivinë, Kazakistanin, Kubën, Malajzinë, Nigerinë, Tajlandën, Ugandën, Uzbekistanin dhe Vietnamin. Samiti i fundit i BRICS-it u mbajt vitin e kaluar në Brazil ndërsa Kina pritet të jetë nikoqire e samitit në vitin 2027.