Mahmut Geldi
13 janar 2023•Përditësim: 13 janar 2023
Kryeministri i Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, u takua me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të zyrës së mediave të kryeministrit Dbeibeh, drejtori i CIA-s po qëndron për një vizitë në Tripoli, kurse në takim morën pjesë ministrja e Jashtme libiane, Najla Mangoush, shefi i inteligjencës Husein Al-Aeb dhe ministri i Shtetit për Çështjet e Kabinetit, Adel Gomaa.
"Gjatë takimit, Burns theksoi nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë midis dy vendeve, duke vlerësuar gjendjen e stabilitetit dhe rritjes evidentet të Libisë gjatë periudhës së fundit", thuhet në deklaratë.
Dbeibeh nga ana e tij tha se "qëllimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar është të stabilizojë Libinë dhe të gjejë mbështetje ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve".
Vendi i pasur me naftë është zhytur në trazira që nga viti 2011, kur sundimtari Muammar Gaddafi u rrëzua pas katër dekadash në pushtet.
Situata u përkeqësua që nga marsi i kaluar, kur parlamenti me bazë në Libinë lindore emëroi një qeveri të re të udhëhequr nga ish-ministri i Brendshëm, Fathi Bashagha, por kryeministri me bazë në Tripoli, Abdul Hamid Dbeibeh, një nga dy figurat që pretendojnë pushtet dhe autoritet në Libi, këmbëngul se ai do t'ia dorëzojë pushtetin vetëm një qeverie që del nga një "parlament i zgjedhur", duke ngritur frikën se Libia mund të përfshihet përsëri në një luftë civile.